Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot zyrtarisht do ta pranojë Raportin e Progresit dhe këtë e ka bërë të ditur gjatë një konference të mbajtur dje në Qeveri.
Kurti tha se raporti është shumë voluminoz dhe thekset kryesore do të shqyrtohen menjëherë.
“Për çështjen e integrimit evropian, raporteve me Bashkimin Evropian, nesër do ta pranojë edhe zyrtarisht Raportin e Progresit për vendin tonë dhe do të mundemi që t’ju drejtohemi lidhur me të gjitha gjërat të cilat thuhen e shkruhen e aludohen aty, sepse është shumë voluminoz, por besoj që qysh në ditën e parë, për thekset kryesore do të mund të diskutojmë e t’i shqyrtojmë ato”, është shprehur Kurti.
Komisioni Europian pritet të kërkojë nga Kosova dhe nga Serbia që të shpejtojnë në ndërmarrjen e hapave në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve.Raporti e kritikon Kosovën për “veprimet e pakoordinuara” të cilat thuhet se kanë nxitur tensione.
Vendit i kërkohet të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mbi bazën e draft-statutit të propozuar nga Bashkimi Evropian.
Kosova nuk e kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin e propozuar nga BE-ja, duke e refuzuar këtë kusht të ndërkombëtarëve që vendi të anëtarësohej në Këshillin e Evropës në maj.
Raporti i Progresit, ndër tjerash, përmend edhe përpjekjen e pushtetit për të ushtruar kontroll ndaj mediave.