Kryetari i Partisë Demokratike serbe: Vuçiqi tani në Bruksel shikohet si faktor i destabilitetit

Kryetari i Partisë Demokratike serbe, Sërgjan Millivojeviq ka marrë pjesë në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian në Bruksel.

Ai ka thënë për N1 se në Bruksel, Aleksandar Vuçiq më nuk shikohet si faktor i stabilitetit.“Ai tani është një faktor i destabilitetit. Ai nuk është më njeriu që udhëheq Serbinë dhe rajonin drejt integrimit evropian. Ai për Brukselin është pengesë për integrimin evropian të Serbisë dhe rajonit”, ka thënë Millivojeviq, transmeton Paparaci.

Kryetari i Partisë Demokratike serbe gjithashtu ka thënë se zyrtarët evropianë e kanë thënë qartë dhe pa mëdyshje se kërkesat e studentëve janë mbi të gjitha kërkesa civilizuese.“Pra, kërkesat e një shoqërie demokratike të civilizuar, dhe rrjedhimisht kërkesat e Bashkimit Evropian. Sepse këto janë kërkesa për shtetin e së drejtës, kërkesa për respektimin e lirive të njeriut dhe të qytetarëve, për luftën kundër korrupsionit dhe për respektimin e Kushtetutës dhe këto janë vlerat themelore mbi të cilat bazohet BE-ja”, ka thënë Millivojeviq.

Ai ka shtuar se në Bruksel të gjithë besojnë se protestat në Serbi nuk janë luftë për pushtet, por për liri dhe vendosje të drejtësisë së vërtetë në Serbi.“Ajo që duhet theksuar dhe ajo që ndodhi sot në Bruksel, nuk është vetëm raporti i zotit Tonino Picula. Kemi pasur një fjalim të turpshëm edhe nga eurodeputetja Ana Marija Viçek nga Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës, e cila pa iu dridhur syri tha se të gjitha kërkesat e studentëve janë përmbushur, edhe pse asnjë nga eurodeputetët nuk u pajtua me këtë”, ka thënë Millivojeviq, përcjell Paparaci.

Ai gjithashtu ka përmendur se Komiteti i Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian vuri në dukje se rekomandimet e OSBE dhe ODIHR nuk janë përmbushur.

“U theksua se në Serbi nuk ka zgjedhje të drejta, të ndershme dhe të lira”, ka thënë Millivojeviq.

Ai ka treguar se vëmendje e veçantë i është kushtuar incidenteve të ndodhura gjatë protestave të studentëve dhe mosndëshkimit të pjesëmarrësve në ato incidente.

“Ne diskutuam gjithashtu situatën në Kosovë, veçanërisht pas Banjskës, e cila e vendosi Serbinë në një pozitë jashtëzakonisht të pafavorshme”, ka thënë kryetari i Partisë Demokratike serbe, Sërgjan Millivojeviq.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here