I ndalohet takimi me djemtë, dalin detaje të reja për ndarjen e Nedës nga Ogren Balluku

Neda Karafili po përballet me vështirësi për të takuar tre djemtë e saj pas divorcit nga Ogren Balluku. Çështja është bërë publike në emisionin “Goca & Gra”, ku avokatja e saj, Greta Çela, ka ngritur akuza për moszbatimin e një vendimi gjyqësor dhe shkelje gjatë procedurave përmbarimore.

Në një letër drejtuar emisionit, avokatja pretendon se, megjithëse gjykata ka vendosur një masë që duhet të zbatohet menjëherë, Neda nuk po arrin të realizojë takimet me fëmijët e saj.

“Si avokate mbrojtëse e nënës, ndiej detyrimin profesional dhe moral të denoncoj shkeljet e rënda ligjore dhe procedurale në këtë proces, ku fëmijët vijojnë të mbeten peng i një situate të papranueshme”, shprehet Çela.

Sipas saj, një nga problemet kryesore lidhet me moszbatimin e vendimit të gjykatës për takimin e fëmijëve, të cilin ajo e konsideron një detyrim ligjor që nuk mund të anashkalohet.

“Së pari, çështja mbart shkeljen flagrante të titullit ekzekutiv për takimin e fëmijëve. Pavarësisht se masa e vendosur nga gjykata është e detyrueshme për t’u zbatuar menjëherë, po përballemi me një akt të pastër ‘vetëgjyqësie’, ku vullneti individual mbizotëron mbi urdhrat e gjykatës”, thuhet në letrën e avokates.

Greta Çela ka ngritur gjithashtu pretendime për mënyrën se si është trajtuar çështja nga Shërbimi Përmbarimor. Ajo thotë se përmbaruesja e ngarkuar me dosjen ka vijuar të merret me të edhe pas një vendimi për përjashtimin e saj.

“Së dyti, kjo situatë është arritur si pasojë e moskryerjes së detyrës dhe anshmërisë së Shërbimit Përmbarimor. Paligjshmëria ka kaluar çdo kufi kur edhe pasi kryetari i zyrës së përmbarimit vendosi zyrtarisht përjashtimin e përmbarueses nga dosja, ajo refuzoi ta lëshonte çështjen, duke vepruar në kapërcim të hapur të ligjit dhe hierarkisë. Për këtë arsye kemi depozituar kallëzim penal për ‘Shpërdorim detyre’, ndërsa Ministria e Drejtësisë ka nisur procedim disiplinor”, deklaron avokatja.

Në letrën e saj, Çela thekson se shqetësimi kryesor mbetet mirëqenia e fëmijëve dhe respektimi i të drejtave të tyre gjatë procesit gjyqësor.

“Së treti, në sfondin e gjithë kësaj panorame të rënduar, mbetet sfida e madhe e mbrojtjes së interesit më të lartë të fëmijës, ku sistemi gjyqësor duhet të veprojë me standarde të larta profesionale dhe shkencore përmes provave të besueshme, për të garantuar që fëmijët të mos përdoren kurrë si armë apo si pengje në luftën e të rriturve, por të kthehen në ambientet e shëndetshme familjare ku u takon të rriten”, përfundon ajo.

Ndërkohë, gjatë transmetimit të emisionit, edhe vetë Neda Karafili ka reaguar përmes një mesazhi dërguar moderatores Ori Nebijaj, e cila e lexoi drejtpërdrejt në studio.

“Ju falënderoj për fjalët, as armikut tim më të madh nuk ia uroj hallin që më ka rënë. Kam nevojë për çdo ndihmë që mund të më jepet. Zoti më ka falur tre drita sysh, nga të cilët nuk mund të më ndajë njeri në këtë tokë. Ju përqafoj të katërtave”, shkruan Neda në mesazhin e saj.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME