Një ngjarje tronditëse në orët e para të ditës së sotme ka ndodhur në Pejë, ku Edmond Lajçi i lindur nw vitin 1980 dyshohet se vrau gruan e tij, Gjyljeta Ukella (1981). Siç bën të ditur Policia dhe Prokuroria, tashmë i dyshuari është arrestuar për ngjarjen e rëndë që ndodhi midis qytetit të Pejës.
Nga raportimet në media, thuhet se ishte vet Edmond Lajçi ai i cili u dorëzua në Polici dhe raportoi për vrasjen ndaj bashkëshortes në banesën ku jetonin në Pejë.
Sipas raportimeve, Lajçi ishte i dënuar në vitin 2021 me 400 euro gjobë për dhunë në familje.
Për ATV-nw, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, tha se në vendin e ngjarjes policia i ka kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme hetimore dhe se trupi i pajetë i viktimës është tërhequr për të bërë obdikimin e saj.
“Sot në mëngjes jemi njoftuar për një rast të vrasjes këtu në qendër të qytetit të Pejës, me një banesë banimi, menjëherë në vendin e ngjarjes i është përgjigjur Policia e Kosovës, më pas Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës dhe prokurori i Krimeve të Rënda, ku në vendin e ngjarjes është një viktimë që dyshohet që është e privuar nga jeta nga bashkëshorti i saj, me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes policia i ka kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme hetimore dhe njëkohësisht është sekuestruar arma me të cilët është kryer vrasja. Prokurori ka urdhëruar që i dyshuar të ndalohet për 48 orë, kurse me urdhër të Prokurorit, Instituti i Miqësisë Ligjore ka tërhequr trupin e pajetë, me ç’rast duhet të bëhet obdukimi i saj”, tha Nikçi.
ATV nga burimet jozyrtare ka mësuar se çifti kishin tre fëmijë, dhe se në kohën kur është kryer vrasja, në banës kanë qenë edhe fëmijët e tyre.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi, në një prononcim për ATV-në, tha se duhet të jenë të rezervuar në dhënien e informatave për shkak se sipas tij, mund të lëndohen familjarët.
“Ne duhet të jemi të rezervuar në dhënien informatave, për shkak se mund t’i lëndojmë më shumë familjarët. Nuk është relevante fare se kush ka qenë brenda. Relevante është që personi gjendet në ndalim, i është sekushtruar arma, janë duke u kryer disa bastisje për momentin nga Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes dhe Prokurori i Shtetit, bashkë me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera, do t’i marrë të gjitha veprimet e nevojshme që kjo çështje penale të ndriçohet në plotni dhe besoj që brenda afatit ligjor prokurori i shtetit do të parashtrojë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Departamentin e Krimeve të Rënda, ku do të kërkojë nga gjyqtari se t’i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh dhe njëkohësisht do të zhvillohen hetimet që kjo çështje penale të marra epilog”, tha Nikçi.
Ai tha se vrasja është kryer në mënyrë makabre.
“Këto detaje në këtë fazë dhe në asnjë fazë nuk duhet të bëhen publike, për shkak se mund t’i lëndojmë shumë familjarët dhe nuk janë informata të cilat mund t’i kontribuojnë opinionit publik, mirëpo çka është esenciale është se është kryer vrasja, dhe vrasja është kryer në mënyrë makabre dhe kaq mund të themi për mediat”, tha Nikçi.
Për rastin tronditës, ka reaguar edhe Institucionet e larta shtetërore.
Presidentja Vjosa Osmani tha se të gjithë duhet që të bëhen bashkë për tra ndalur vrasjen e grave dhe vajzave në Kosovë.
“Fatkeqësisht, sot të gjithë jemi zgjuar në mëngjes me lajmin e tmerrshëm për vrasjen edhe të një gruaje nga bashkëshorti i saj. Ky fenomen i tmerrshëm që po e plagos shoqërinë dhe shtetin tonë, ky femicid i cili për fat të keq ka marrë përmasa të jashtëzakonshme, duhet të ndalet me çdo kusht. Dhe, mënyra e vetme për ta ndaluar atë është në qoftë se rizgjohemi të gjithë si shoqëri, si shtet, e si komb. Rizgjohemi sërish në këmbë kundër këtij fenomeni sepse nuk jemi jetë vajzash e grash për të humbur”, tha Osmani.
Osmani tha se kjo ngjarje ndodhi një ditë pas nisjes së edicionit të dytë të Forumit për Gratë, Paqe dhe Siguri, ku u diskutua për dhunën ndaj grave.
“Ju bëj thirrje të gjithëve, aktivistë të shoqërisë civile, institucione të sigurisë e drejtësisë, qytetarë, gra e burra bashkë që të ndalim një herë e përgjithmonë dhunën mbi bazë gjinore, që po e njollos shtetin tonë dhe mund ta shkatërrojë atë përbrenda”, shtoi Osmani.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se është e patolerueshme se si brenda 4 ditëve u vranë dy gra nga bashkëshortët e tyre.
Reagim ka pasur edhe nga nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila shprehet e shqetësuar për ngjarjet e tilla tronditëse në vend. Ajo thotë se situata është alarmante.
E shokuar për vrasjen në Pejë, ka reaguar edhe deputetja Blerta Deliu e cila ka përmendur edhe faktin se si kjo ngjarje e tmerrshme ndodhi edhe në kohën kur pikërisht në Kosovë po mbahet Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.