Lëvizja Vetëvendosje e ka kaluar shifrën prej 340 mijë vota në zgjedhjet parlamentare, pas numërimit të mbi 99 për qind të votave në total.
LVV-ja, sipas përditësimit të fundit të rezultateve nga Komisionit Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka fituar 40.90 për qind të votave.PDK-ja është e dyta me 22.05%, LDK me 17.63% dhe AAK-Nisma me 7.46% të votave të fituara.
Gjatë ditëve në vijim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë numërimin e votave me kusht, personave me nevoja të veçanta, si dhe votave nga jashtë.
Votat nga jashtë janë mbi 84 mijë, njoftoi sot zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.Në total, kanë mbetur për t’u numëruar përafërsisht edhe 100 deri në 120 mijë vota, tha të hënën Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim (DnV).
“Edhe pse ende mbeten në kalkulim rreth 100-120 mijë vota, përfshirë ato jashtë vendit dhe votat me kusht, ndikimi i tyre në rezultatin përfundimtar do të jetë margjinal”, tha Cakolli.
Me rezultatet aktuale, ndarja e ulëseve në kuvendin e ardhshëm parashihet të jetë kjo: LVV – 47 deputetë, PDK – 25 deputetë, LDK – 20 deputetë dhe AAK – 8 deputetë.
Më herët gjatë ditës KQZ-ja njoftoi se nga ora 16:00 do të nisnin numërimin e votave të kandidatëve për deputet në Qendrat Komuale të Numërimit në komunat: Prishtinë, Obiliq, Lipjan dhe Partesh.