KQZ: Integriteti i votës nuk është cenuar, rezultatet do të jenë të sakta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar edhe njëherë tjetër problemet lidhur me numërimin e votave për zgjedhjet parlamentare, duke potencuar se integriteti i votës nuk do të cenohet pavarësisht vonesave e problemeve.

Përmes një komunikate për media, KQZ-ja ka thënë se do të punojnë maksimalisht që procesi i numërimit të votave të përfundojë sa më shpejtë, me rezultatet përfundimtare që do të jenë të sakta si për partitë ashtu edhe për deputetët.

KQZ është e përkushtuar maksimalisht që të gjitha këto procese të kryhen në kohën më të shpejtë të mundur, por duke siguruar saktësi në evidentimin e vullnetit të çdo votuesi. KQZ sqaron se integriteti i votës nuk është i cenuar dhe pavarësisht vonesave që janë shkaktuar si pasojë e problemeve me platformën elektronike, rezultatet përfundimtare do të jenë të sakta dhe të bazuara në vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës së tyre”, thuhet në njoftim.

Një ditë më parë, nisi numërimi i votave për kandidatët për deputetë dhe verifikimi i votave të subjekteve politike në Prishtinë, Lipjan, Obiliq e Partesh. Pos Prishtinës që ka pasur probleme të herëpashershme, sipas KQZ-së në komunat tjera po zhvillohet procesi pa ndonjë problem.Gjatë ditës do të nisë numërimi i votave edhe në qendra të tjera, ka njoftuar KQZ-ja.

KQZ-ja ka thënë po ashtu se i ka bërë thirrje Prokurorisë dhe institucioneve të tjera të sigurisë që ta sqarojnë situatën e problemeve të mosfunksionimit të platformës online për rezultatet përfundimtare.KQZ është vënë në dispozicion për bashkëpunim me të gjithë akterët relevantë dhe po punon që të përfundojë numërimi dhe adresimi i çështjeve teknike të mosfunksionimit. Ndërkaq, lidhur me rezultatet preliminare të subjekteve politike dhe të pjesëmarrjes, që gjatë këtyre ditëve janë evidentuar pasaktësi, KQZ njofton se janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet për të bërë përmirësimet e nevojshme dhe publiku do të njoftohet me kohë”, thuhet në komunikatë.

Uebfaqja e KQZ-së që nga nisja e numërimit ka pasur probleme në shfaqjen e numrave. Në mbrëmjen e 9 shkurtit, KQZ-ja njoftoi se të dhënat nuk duhet të merren parasysh për shkak të telasheve me faqen. Në mëngjesin e së hënës, KQZ-ja tha se kjo çështje është rregulluar.

Ndërkohë, të martën në Prishtinë ka nisur numërimi i votave për kandidatët për deputetë në katër komuna ndërsa numërimi i mbi 84 mijë votave të diasporës do të nisë në fazën pasuese.

Ende nuk ka përfunduar numërimi i votave të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Tek janë numëruar mbi 99 për qind e votave, janë 11 vendvotime nga 2533 që kanë mbetur ende pa u procesuar në uebfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Nga procesimi i 2522 vendvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje ka 40.86 për qind të votave, apo 340 mijë e 541 vota. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 183 mijë e 661 vota apo 22.04 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e treta me 17.62 për qind apo 146 mijë e 815 vota. Koalicioni AAK-Nisma, konservatorët dhe intelektualët ka marrë 62 mijë e 111 vota apo 7.45 për qind, si subjekti i fundit që ka siguruar kalimin e pragut prej 5 për qind.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here