Duket si armë e vërtetë, por në fakt është armë me gaz. Por me pak punë, ajo mund të konvertohet në armë zjarri.
“Duhet të përpunohet tyta për arsye se armët me gaz e kanë tytën të zënë me një pjesë që e lejon gazin, por jo predhën, është një proces i cili bëhet në mënyrë artizanale, por jo çdoherë bëhet në formën e duhur për arsye se ajo është e rrezikshme”, tha Fadil Kajtazi, ekspert i armëve.
Kjo praktikë tashmë është bërë e zakonshme në vend. Shkak për këtë thuhet të jetë çmimi i lirë për blerjen e këtyre armëve e gjithashtu edhe modifikimi.
Megjithatë, sipas Kajtazit, armët me gaz s’mund të përdoren gjatë. Por, shton se mund të jenë vdekjeprurëse.
“Nuk e ka efektin e armës standarde, për arsye se pas dy-tre fishekëve që shkrepen me atë armë, tyta hapet sepse nuk e ka cilësinë dhe predhat nuk e kanë efektin goditës që e kanë armët e vërteta”, tha Kajtazi.
Ndërkohë, policia nuk tregoi se sa armë të tilla ka konfiskuar deri tash, por sipas ish-drejtorit të policisë, Rashit Qalaj, kjo çështje ka qenë sfidë për institucionet e sigurisë kaherë.
“Fatkeqësisht në Kosovë ka një numër të madh të armëve meqë janë ilegalisht në duart e qytetarëve, ka armë të vërteta, por një numër i madh i tyre janë edhe me gaz e që po konvertohen në armë zjarri. Mendoj që këto janë sfida për policinë e Kosovës”, tha ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj.
Pa bërë klasifikimin e armëve, policia tha se brenda një viti afërisht 1500 armë ilegale konfiskohen, derisa konsiderohet se rreth 260 mijë janë në duar të qytetarëve. /atvlive.tv