Kina lëshon anijen kozmike me ekuipazh “Shenzhou-19” për misionin e stacionit hapësinor
Kina nisi të mërkurën anijen kozmike “Shenzhou-19”, duke dërguar tre astronautë të tjerë në stacionin hapësinor orbital “Tiangong”.
Anija kozmike u lëshua me sukses me një raketë mbartëse “Marshimi i Madh-2F” të mërkurën më 4:27 të mëngjesit sipas orës së Pekinit nga Qendra e Lëshimit të Satelitëve e Jiuquan-it të Kinës Veriperëndimore.
Rreth 10 minuta pas nisjes, “Shenzhou-19” u nda nga raketa dhe hyri në orbitën e përcaktuar. Ajo kreu një takim të shpejtë të automatizuar dhe u lidh me portën e përparmë të modulit bazë të stacionit hapësinor “Tianhe” më 11:00, rreth 6.5 orë pas nisjes. Tre astronautët e “Shenzhou-19” hynë në Stacionin Hapësinor të Kinës dhe u takuan me kolegët e tyre të “Shenzhou-18”, duke filluar një raund të ri të ndërrimit të ekuipazhit në orbitë.
Ekuipazhi i “Shenzhou-19” përbëhet nga komandanti i misionit Cai Xuzhedhe, astronautët Song Lingdong e Wang Haoze. Wang Haoze është aktualisht inxhinierja e vetme femër e fluturimeve në hapësirë e Kinës dhe gruaja e tretë kineze e dërguar në një mision fluturimi hapësinor me ekuipazh.
Ekuipazhi i ri ka shumë detyra për të kryer, duke përfshirë testet e shkencës hapësinore dhe aplikimit, veprimtaritë jashtë anijes, instalimin e pajisjeve mbrojtëse kundër mbeturinave të hapësirës e instalimin dhe rikthimin e ngarkesave e të pajisjeve jashtë anijes.
Ata do të marrin pjesë gjithashtu në veprimtari të arsimit shkencor e të mirëqënies publike dhe në teste të tjera të ngarkesës.
“Shenzhou-19” është misioni i 33-të i programit të fluturimeve hapësinore me astronautë të Kinës dhe misioni i katërt me ekuipazh në fazën e aplikimit e të zhvillimit të stacionit hapësinor kinez.
Agjencia e Fluturimeve Hapësinore me Astronautë e Kinës njoftoi në prill se Kina kishte ndërmarrë mbi 130 projekte kërkimore shkencore dhe aplikimi në stacionin e saj hapësinor, ndërsa 300 mostra eksperimentesh shkencore ishin sjellë nga hapësira nga misionet me ekuipazh në pesë kontingjente.