Kërkesa e GJNP për Netanyahun, Ministri i Mbrojtjes: Tentim që t’i mohohet Izraelit e drejta për t’u vetëmbrojtur

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Yoav Gallant, e ka akuzuar Gjykatën Ndërkombëtare Penale (GJNP) se po përpiqet t’ia mohojë Izraelit të drejtën për t’u vetëmbrojtur, pasi kryeprokurori i saj njoftoi se po kërkon fletarrestime për liderët e Izraelit dhe ata të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Tentimi i prokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, për ta zhbërë krijimin [e Izraelit] nuk do të ketë sukses. Paralelja që prokurori bëri mes grupit terrorist Hamas dhe shtetit të Izraelit, është përbuzëse dhe e neveritshme”, tha Gallant në 20 maj.

Kryeprokurori i GJNP-së, Karim Khan, tha të hënën se beson se Netanyahu, ministri Gallant, dhe tre liderë të Hamasit – Yehia Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh – janë përgjegjës për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael.

Në lidhje me liderët izraelitë, Khan në mënyrë specifike i nënvizoi si arsye për fletarrestime “shkaktimin e urisë tek civilët si mjet lufte”, “shkaktimin e vuajtjeve të mëdha me qëllim”, “udhëheqjen e qëllimshme të sulmeve ndaj popullsisë civile” dhe “veprimet e tjera çnjerëzore”.

Khan i akuzoi tre liderët e Hamasit se janë përgjegjës për “shfarosje”, “rrëmbim”, “përdhunim dhe vepra të tjera të dhunës seksual “, “torturë” dhe “vepra çnjerëzore”.

Prokurori duhet të kërkojë lëshimin e fletarrestimeve nga një panel prej tre gjyqtarësh, të cilëve mund t’iu duhen deri në dy muaj kohë për t’i shqyrtuar provat dhe për të vendosur nëse mund të procedohet.

Zëdhënësi i GJNP-së, Fadi Al-Abdallah, i tha Radios Evropa e Lirë se gjykatësit do të “marrin vendimin e tyre brenda afateve”, por nuk specifikoi ndonjë datë.

Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Lufta izraelite i ka vrarë më shumë se 35.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve të Hamasit.

Por, lufta izraelite ka shkaktuar edhe krizë humanitare në Gazë, duke bërë që rreth 80 për qind e popullsisë të zhvendoset dhe qindra mijëra njerëz të vuajnë nga uria, sipas zyrtarëve të OKB-së.

Izraeli e ka mohuar se ka kryer ndonjë krim gjatë luftës tashmë shtatëmujore në Gazë.

Kërkesa e kryeprokurorit të GJNP-së ka shkaktuar reagime të shumta nga e gjithë bota, për dhe kundër veprimit të Khan.

Franca dhe Belgjika thanë se e mbështesin kërkesën e kryeprokurorit të GJNP për lëshimin e fletarrestimeve për liderët e Izraelit dhe Hamasit.

Ministria e Jashtme e Francës tha se e “mbështet Gjykatën Ndërkombëtare Penale, pavarësinë e saj, dhe luftën kundër mosndëshkueshmërisë në të gjitha situatat”.

“Krimet e kryera në Gazë duhet të ndiqen penalisht patjetër në nivelet më të larta, pavarësisht se kush është kryerësi”, tha ministrja e Jashtme e Belgjikës, Hadja Lahbib.

Ndërkohë, presidenti amerikan, Joe Biden, e denoncoi kërkesën e kryeprokurorit për të arrestuar Netanyahun dhe Gallantin, duke thënë se “çfarëdo që ka dashur të thotë prokurori, nuk ka asnjë paralelizëm mes Izraelit dhe Hamasit.”/REL

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here