Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, deklaroi se minimumi i pensioneve të moshës do të jetë 200 euro.
Hamza në ‘Debat Plus’ të RTV Dukagjini deklaroi se do të largohet edhe limiti për pensionet kontributdhënëse. Gjegjësisht, limiti për kontributdhënie për 15 vite, shkruan Insajderi.
“Pensionet e moshës aktualisht me rritjen e fundit… Unë kam premtu që pensionet bazike minimumi të jenë 200 euro. Përveç pensioneve të moshës, që është numri më i madh, do të thotë janë pensionet kontributdhënëse. Është caktu një limit prej 15 vjetëve. Asnjëherë s’e kam pasë të qartë pse është kjo. Ka njerëz plot në Kosovë që nuk i kanë përfitu këto pensione. Do të bëhet një përshkallëzim sipas viteve të kaluara në punë. Nëse dikush i ka 15 vite, e merr 100% pensionin, ai me 14 vite e merr 95%”, tha Hamza.
Kandidati i PDK’së për kryeministër deklaroi edhe se do t’i eliminojë dy kufizimet për përfituesit e pensioneve për veteranët. Hamza tha se nuk do të ketë pengesë ligjore në përzgjedhjen e pensionit të veteranëve dhe atij të moshës.
Po ashtu tha se përfituesit të pensionit të veteranëve do të mund të punojnë në sektorin privat, nën qeverisjen e tij.
“Përveç kësaj, ne i kemi kategoritë e dala nga lufta, 50 për qind do të përfitojnë prej rritjeve pensioneve, po flas prej pensionit aktual dhe është një pengesë ligjore që do të eliminohen, që ata që e marrin pensionin e moshës mes zgjedh mes pensionit të moshës dhe asaj të dëshmorit”. /Insajderi.org/