Gjermania thyen zinxhirin më të madh të mashtrimit me ‘call center’, pati të vendosura edhe në Kosovë

Autoritetet në Gjermani, me ndihmën e Europolit, kanë thyer zinxhirin më të madh të mashtrimit përmes ‘call center’ të cilat ishin të vendosura në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, dhe në Liban.

Ministri i Brendshëm i Republikës së Baden-Wuerttembergut, Thomas Strobl, e ka konsideruar si “rastin më të madh të mashtrimit në Evropë deri më sot”.

Autoritetet gjermane, me ndihmën e Europolit dhe forcave lokale të policisë, kanë kryer kontrolle në 12 qendra telefonike në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe Liban më 18 prill dhe kanë arrestuar 20 persona.

Siç shkruan “Stuttgarter-Zeitung”, punonjësit e ‘call centerave’ kanë telefonuar njerëz në Gjermani duke u paraqitur si anëtarë të familjes, anëtarë të shërbimeve qeveritare apo qendrave financiare dhe zhvatnin para nga viktimat duke përdorur metoda të ndryshme. Të dyshuarit kërkonin para nga viktimat me pretekstin për të nxjerrë një të afërm nga telashet, ose kërcënuan me dënime për shkeljet e dyshuara të kryera nga viktimat.

Mashtrimet u zbuluan pasi një punonjës banke vuri re se një klient dëshironte të transferonte 100 mijë euro në një llogari të panjohur jashtë vendit. Që nga dhjetori, hetuesit kanë regjistruar mbi 1 milion telefonata, dhe mashtrimi ka ndodhur në 6000 raste, me dëme mbi 10 milionë euro.

“Këto akte kriminale janë të ndyra dhe të pamëshirshme, sepse luajnë me frikën dhe vështirësitë e njerëzve”, ka thënë Strobl. Ka paralajmëruar se autoritetet do të veprojnë kundër autorëve “me të gjitha mjetet” në dispozicion të shtetit ligjor.

Në Gjermani zbulohen rregullisht raste të mashtrimit përmes ‘call centerave’, ku viktimat janë kryesisht të moshuar ose emigrantë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights