Fidan pas takimit me Gërvallën: Prania e gylenistëve në Kosovë, shqetësuese për Turqinë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, tha se me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla, kanë biseduar për hapat që duhet të ndërmerren kundër lëvizjes të klerikut Fetullah Gulen, që Turqia i referohet me akronimin FETO dhe të njëjtën e ka shpallur organizatë terroriste.

Gjatë një konference për media më 6 shtator, Fidan pretendoi se kjo organizatë paraqet kërcënim edhe për Kosovën.

“Folëm edhe për luftimin e terrorizmit, për hapat që duhet të ndërmerren kundër organizatës terroriste FETO. Për fat të keq, prania e FETO-s në Kosovë vazhdon të jetë shqetësuese për ne. Dua t’iu kujtoj se FETO është kërcënim edhe për Kosovën. Ne duhet ta luftojmë bashkërisht këtë organizatë”, tha Fidan.

Në mars të vitit 2018, Kosova arrestoi dhe dëboi gjashtë shtetas turq, që kishin punuar në shkollën private “Mehmet Akif” në Prishtinë.

Të gjithë të arrestuarit, ndërkohë, janë përballur me procese gjyqësore në Turqi dhe në fund janë dënuar gjithsej me 56 vjet dhe 7 muaj e gjysmë burgim.

Arrestimi dhe dëbimi i tyre janë lëndë e hetimeve edhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës, pasi dyshohet se procesi është përcjellë me dhjetëra shkelje.

Gulen ka qenë aleat i presidentit aktual të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deri në vitin 2013.

Duke folur për paqen dhe stabilitetin në rajon, kryediplomati turk, tha se Turqia e mbështet dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Ne besojmë që problemet e Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen vetëm me dialog. Ne mbështesim përpjekjet për arritjen e normalizimit mes dy vendeve. Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm në këtë kontest. Nëse vjen ndonjë kërkesë, ne si Turqi nuk do të hezitojmë të marrim përgjegjësi në këtë drejtim”, tha ai.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here