Gazetari i televizionit T7, Genc Godanci po qëndron pranë selisë së Lëvizjes Vetëvendosje që prej mbylljes së vendvotimeve për të parë disponimin atje pas përfundimit të procesit të votimit.
Ai tha në një lidhje direkte në Presing se në selinë e kësaj partie janë parë disa nga ministrat dhe nënkryetari i partisë, Glauk Konjufca, por jo kryeministri Albin Kurti.Ne jemi këtu që nga ora 19:00, pra që nga mbyllja e vendvotimeve dhe ajo që kemi parë është që kanë ardhur vetëm ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, dhe pak më herët erdhi edhe ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ai i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku”, tha Godanci.
“Pavarësisht projeksionit të fitores, ende nuk e kemi parë kryeministrin Albin Kurti të vijë këtu”, shtoi ai.
Genc Godanci raportoi se Konjufca ka thënë shkurtimisht se nuk do të deklarohen para orës 23:00.
“Pak më herët erdhi edhe nënkryetari i partisë, z. Glauk Konjufca, i cili shumë shkurtimisht për media tha se nuk do të ketë deklarim para orës 23:00, pra para se të publikohen shumica e rezultateve”, tha ai.
Sipas projeksioneve dhe exit polleve të para, LVV-ja është partia e parë, por nuk ka marrë mjaftueshëm vota për ta formuar e vetme qeverinë e ardhshme.