15.7 C
Pristina
E martë, 22 Tetor, 2024

Deputeti i PDK-së sqarohet për takimin me Berishajn: Ambasadori m’u betua në kokën e Albinit se s’ka vjedhur gjë

Një fotografi e publikuar nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha ku shihej në takim me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj – i dyshuar për korrupsion – ngjalli reagime të shumta, duke marrë parasysh kritikat e subjektit të tij partiak për aferën “GEN”.

Berisha në një përgjigje për Nacionalen, ka thënë se politikat e brendshme nuk duhet të reflektojnë në ato të jashtme.

“Kjo është kur i edukojmë qytetarët e mbështetësit partiak në urrejtje, në vend të respektimit të ndërsjellë me ata që mendojnë ndryshe. Është një aksiomë “food for thought.” Pa dashur dhe mendoj se as që duhet ta dekontestoj këtë situatë, por, “politikat e brendshme nuk duhet të reflektojnë në politikat e jashtme.” Në Zagreb, Berlin, a Ëashington jo vetëm Ambasadorët e stafi diplomatik, por edhe Albini është aktualisht përfaqësues (Kryeministër me votat e shumicës) i të gjithëve, edhe i imi. Sa do që për mua është e papranueshme politika e tij, mund të jemi kundërshtarë politik dhe e luftoj me mjete politike, por nuk do të thotë se jemi armiq, se përndryshe i kisha ndërruar mjetet e “luftimit”.” – tha ai.

Tutje, deputeti i PDK-së shtoi: “Kurse në politikat e brendshme është tjetër gjë…!”.

Berisha mes tjerash i ka thënë Nacionales se ka politikanë të tjerë në opozitë e Qeveri që janë takuar me ambasadorin Berishaj, por e kanë mbajtur të fshehur.

“Nuk ndryshojnë qëndrimet kaq lehtë! Kurse takimet ndodhin, edhe kanë ndodhur, jo veç me mua por edhe shumë deputetë të opozitës e pozitës, politikanë opozitarë e qeveritarë, takohen me përfaqësuesit diplomatik të shtetit, janë takuar edhe me Ambasadorin Berishaj veç se e kan mbajt fshehur.” – tha ai.

“Por, kjo s’do të thotë se ndryshojnë qëndrimet. Po mos u merrni me insinuata. Afera GEN mbetet e hapur. Korrupsioni në diplomaci mbetet temë e hapur. Qëndrimet e mia në raport me atë pjesë nuk ndryshojnë aspak. Hetimet duhet të bëhen e të ketë një vendim juridik të plotfuqishëm.” – shtoi tutje Berisha.

Ai bëri me dije se me ambasadorin Berishaj është takuar edhe gjatë viteve 90-ta.

“Profesorin Berishaj e kam takuar e vizituar edhe shumë herë të tjera, para e pas luftës, edhe i kam shkuar në ngushëllime për nënën, e më ka ardhur ngushëllime për babën. E kam takuar viteve ’90 e tutje, kur u krijua këshilli politik për luftë. E aty e ka ftuar edhe vet Drejtori politik i UÇK. Axha i tij, Tom Berisha, ka kontribut të veçantë në përgatitjet për luftë e liri. Ky po që bart titull evropian si profesor. E meqë u takuam në simpoziumin ndërkombëtar për krimet e komunizmit, të ftuar nga Instituti Shkencor, Fakulteti i Studimeve Kroate i Universitetit të Zagrebit, e vizitova edhe Ambasadorin dhe Ambasadën e shtetit tim. Unë nuk jam prej Serbie, por prej Kosove, jam shqiptar!” – tha ai.

“Si mendoni ju që një deputet i Kuvendit futet në një sallë simpoziumi ndërkombëtar, e gjen Ambasadorin e shtetit të vet me shumë ambasadorë shtetesh të tjera, i cili e pret, a nuk duhet t’i flasë?! Deputeti me status gjenerali në pension, shkon në një shtet e nuk e njofton Ambasadën e vet dhe Atasheun Ushtarak, si në këtë rast z. Shpend Zogaj, a do të ishte veprim profesional e institucional sipas të gjithë juve që mendoni ndryshe?!” – shtoi Berisha.

Në fund të përgjigjes për Nacionalen, deputeti i PDK-së zbuloi një detaj interesant. Sipas tij, ambasadori Berishaj është betuar në kokën e kryeministrit Albin Kurti se nuk ka vjedhur.

“Fundja unë nuk jam takuar veç me kushëririn e fisit e mikun tim Martin Berisha, por me Ambasadorin fuqiplotë të shtetit tim. Edhe fundja, “Ambasadori mu betua në kokën e Albinit se nuk ka vjedh gjë”, ndaj shkova që ta pij një kafe në Ambasadë.” – tha ai.

Në fund të përgjigjes së tij, Berishaj shtoi si vijon:

“Gjatë qëndrimit në Zagreb, i ftuar nga Fakulteti i Studimeve Kroate i Universitetit të Zagrebit, në simpoziumin shkencor ndërkombëtar me titull: “Rëndësia e kujtesës evropiane për të ardhmen evropiane – Krimet komuniste,” takova edhe Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Zagreb, SHT Prof. Dr. Martin Berishaj, i cili më organizoi një pritje përtej protokollit diplomatik, bashkë me stafin e Ambasadës, Atasheun ishtarak z. Shpend Zogaj, etj.

Një pritje vëllazërore dhe bashkëbisedim nga aty ku ka mbetur, për të mirën e kombit, shtetit dhe historisë. Natyrisht, për punën e mirë në shërbim të vendit dhe avancimin e statusit të shqiptarëve në këtë shtet aleat. Pesha intelektuale dhe akademike e diplomatit e ngrit edhe subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit. E në këtë korelacion, autoritetin dhe nderin i ke në nivelin më të lartë të vlerësimit. E falemindoj Ambasadorin për pritjen e dhuratën e veçantë- librin!”.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here