Bërnabiq: Opozita fajtore që Serbia nuk është e fortë në skenën ndërkombëtare

Kryetarja e parlamentit serb, Ana Bërnabiq, në një intervistë për gazetën serbe “Blic” ka thënë se Serbia do të ishte shumë më e fortë në skenën ndërkombëtare sikur të arrihej një konsensus midis opozitës dhe pushtetit për çështje të caktuara kombëtare, siç është rezoluta e OKB-së për Srebenicën apo anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Në vend të kësaj, ne kemi autoritetet më të njohura në botë për krimet e luftës, si Efraim Zuroff dhe Yehuda Bauer që, thonë se Srebrenica ishte krim lufte, por jo gjenocid, dhe pavarësisht kësaj, opozita jonë pretendon se Srebrenica është një gjenocid dhe se Serbia duhet të mbështesë këtë lloj rezolute, të imponuar në këtë mënyrë – në kundërshtim me Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, Kushtetutën e Bosnjë-Hercegovinës dhe në kundërshtim me Kartën e OKB-së”, ka pretenduar Bërnabiq, transmeton Paparaci.

Bërnabiq ka thënë se opozita dhe qeveria nuk janë të detyruar të mendojnë njësoj për të gjitha gjërat, por duhet të bisedojnë dhe të paktën të përpiqen të mbrojnë interesat e përbashkëta kombëtare.

Kur është fjala për “luftën diplomatike” për rezolutën për Srebrenicën, Bërnabiq ka thënë se “pushteti në Serbi nuk ka bërë vetëm gjithçka, por edhe gjëra përtej mundësive të saj”.

“Ne bëmë të pamundurën që “e vërteta” të dëgjohet në botë, të respektohet e drejta ndërkombëtare, që diçka të mos shtyhet me forcë përtej të gjitha procedurave. Të them të drejtën, nuk pres një rezultat përfundimtar të favorshëm as për Serbinë “as për OKB-në”, por bota “tashmë është e befasuar nga rezultatet e luftës që bëri Serbia nën udhëheqjen e Aleksandar Vuçiqit”, vazhdon Bërnabiq me stilin e saj të vjetër të servilizimit ndaj liderit suprem serb.

Ajo ka pretenduar se “Vuçiqi i prishi gjërat aq shumë me luftën e tij në Nju Jork, saqë data e miratimit të rezolutës u shty” për shkak se, sipas fjalëve të saj, “propozuesit nuk ishin të sigurt për rezultatin”.

“Është treguar se sot Serbia është një “arrë e fortë” për t’u goditur dhe se nuk mund të sulmohet dhe poshtërohet. Të gjithë do të mendohen dy herë në të ardhmen kur duan të bëjnë diçka kundër Serbisë. Dhe ky është një nga rezultatet e kësaj lufte të Vuçiqit. Ai ka një efekt frenues për të gjitha sulmet e ardhshme. Dikur kanë mundur të grabisin territor nga Serbia dhe pushteti të reagojë vetëm me një kumtesë për media. Sot Serbia është në gjendje ta ngrit gjithë botën në këmbë dhe të alarmojë për gjërat që shkelin ligjin ndërkombëtar në mënyrën më brutale”, ka vazhduar ajo me fraza të kota për konsum të brendshëm./Paparaci.com

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Verified by MonsterInsights