Anketuesit e ASK-së përballën me sulme fizike dhe ngacmime

Teksa trokisnin në dyert e kosovarëve për regjistrim të popullsisë, anketuesit, ditëve të fundit nuk u pritën mirë. Përveç konflikteve verbale për ndonjë paqartësi të mundshme rreth pyetjeve të formularit, ndaj tyre nuk mungoi as dhuna.

Për rastin në Pejë, ku një anketues u sulmua fizikisht nga një familje në fshatin Turjakë, por edhe kërcënimet eventuale, tashmë po merret policia.

“Është duke u marr policia atje, institucion përgjegjës, ka raste…kem sfida por te vogla, ekonomitë familjare mund të kenë ndonjë hall, në Moldavi e kanë ndërpre për shkak t sfida, ka sfida po procesi ka kaluar në duart e policisë pastaj nëse është e nevojshme do të kalojnë edhe në prokurori”, tha Avni Kastrati, u.d. i kryeshefit Ekzekutiv të ASK-së.

Për dhunë jo, por për ngacmime seksuale, 3 gra kanë raportuar në organizatën “Fourth Wave”. Kjo u bë e ditur përmes protestës së aktivistëve para zyrave të ASK-së.

“Gratë regjistruese janë lajmëruar te ne dhe kanë thënë se gjatë regjistrimit janë përballuar me intimidim dhe ngacmim…”, tha Nerimane Ferizi nga organizata “Fourth Wave”.

Për këtë, drejtori i ASK-së thotë se nuk ka marrë ende ndonjë raport zyrtar.

“Askush deri më tash nuk ka raportuar në formë zyrtare për këtë, kështu si thashetheme kemi dëgjuar…”, tha Kastrati.

Sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, mungesa e komunikimit është shkaktar për të gjitha incidentet e mundshme gjatë procesit të regjistrimit mes anketuesve dhe ekonomive familjare.

“Qytetarët tani kanë një devalvim kulturor ekonomiko-social, sidomos tri vitet e fundit, anketuesit duke mos pasur mundësi që të avancojnë tutje drejt dialogimit me intervistuesin, ka ndikua mu marrë pyetjet provokuese insistuese, edhe rasti I fundit është mungesë dialogimi…mund të kenë pasur pyetje që i kanë keqkuptuar, nuk është shtrirë pyetja si duhet”, tha Shala.

Ndërkaq, për procesin e regjistrimit, janë angazhuar gjithsej 3400 punonjës, prej tyre 2500, si regjistrues dhe 900 të tjerë si mbikëqyrës. /ATV

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here