Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, më 31 korrik 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Erdin Rekës, i cili akuzohet se i ka dhënë para me fajde këngëtarit Afrim Muçiqi.
Sipas aktakuzës, Reka akuzohet se nga fundi i vitit 2012 deri nga gjysma e vitit 2013, i cili në atë kohë ishte shok i Muçiqit, duke shfrytëzuar në atë periudhë gjendjen e rëndë financiare të tij, fillimisht i jep para me fajde, në disa raste, borxh ky që arrin shumën prej 70 mijë euro.
Në aktakuzë thuhet se duke shfrytëzuar edhe besimin e madh që i dëmtuari kishte ndaj të akuzuarit, ky i fundit përpiloi Kontratë fiktive mbi huanë kinse e lidhur më 15 mars 2012 mes Rekës si huadhënës dhe në anën tjetër Afrim Muçiqi dhe djali i tij, A.M., si huamarrës.
Gjithnjë sipas aktakuzës, për shkak të vonesës për kthimin e borxhit/fajdesë në shumën e lartcekur, nga fillim i vitit 2013 në vazhdimësi, e ngarkon me kamatë mujore 30%, kështu që Afrim Muçiqi detyrohet që në vitin 2013 të shes shtëpinë për të paguar kamatën, e cila kamatë paguhet deri në fund të vitit 2014.
Kështu, aktakuza thotë se i akuzuari Reka ka përfituar dobi pasurore në shumën prej 512 mijë euro dhe kur Muçiqi e kupton se është duke pësuar financiarisht dhe i akuzuari nuk ndalet së kërkuari fajde duke shpikur shuma të tjera, refuzon të paguajë shumën e mëtejshme të fajdesë ndaj Rekës, raporton Betimi për Drejtësi.
Me këtë, Reka akuzohet se ka kryer veprën penale “Fajdeja”.
Në deklaratën e dhënë më 31 maj 2024 në Prokurori, Muçiqi ka deklaruar se e ndien veten shumë të dëmtuar jo vetëm për shkak të të hollave por edhe për shkak të prishjes së imazhit.“Ashtu siç e kam cek në deklaratën e datës 09.11.2018, Erdinin e kam takuar në vitin 2009-2010, e kam shok, në mesin – fundin e vitit 2012 fillimisht ia kam kërkuar 10,000€, pastaj kam vazhduar në fillim të vitit 2013, 10,000€ të tjera, kah fundi i vitit 2013 ka arrit shifrën 70,000€ për të cilat kam paguar kamatë 21,000€ në muaj”, citohet të ketë deklaruar Muçiqi.
Prokuroria ka propozuar që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, i akuzuari të shpallet fajtor për veprën që i vihet në barrë dhe të dënohet sipas ligjit, si dhe të ngarkohet me shpenzimet e procedurës.