Ish-ushtari i UÇK-së, Hasan Dakaj është vizituar nga shefi i zyrës ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, kupton ATV.
Dakajt i cili u arrestua në pikën kufitare në Merdare para disa ditësh autoritetet serbe tashmë i kanë caktuar edhe masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Por që nga paslufta, deri më tani Serbia ka arrestuar së paku 23 ish-pjesëtarë të UÇK-së.
“Nga paslufta janë 23 persona. Janë mbajtur disa procese gjyqësore, ndaj ish-ushtarëve të UÇK-së”, tha Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.
Megjithatë me vendime të plotfuqishme janë dënuar vetëm dy prej tyre: Anton Lekaj dhe Ramadan Maloku. Ndërkohë, Petrit Dula ishte liruar nga shkalla e dytë, në prill të vitit 2023.
Ndërkohë, përveç Hasan Dakajt, në paraburgim që nga janari i vitit 2020 kur u arrestua vazhdon të qëndrojë Nezir Mehmetaj.
“Ndaj Nezir Mehmetajt deri tash janë mbajtur 40 seanca. Ndaj tij ende nuk ka ndonjë vendim…”, tha Alija.
Lidhur me arrestimin e Hasan Dakajt dhe ndaljen e ish-ushtarëve të tjerë të UÇK-së ndër vite, ka reaguar kryeministri Albin Kurti.
“Megjithatë, përkundër ndryshimeve pozitive, edhe këtë vit po e trashëgojmë një fqinj që vetëm po përkeqësohet. Hasan Dakaj vazhdon të mbahet atje, kjo është një sjellje dashakeqe e Serbisë. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar ekstradimin e të dyve nga autoritetet e Serbisë, përgjigje nuk kemi pranuar kurrë”, tha Kurti.
Sipas mediave serbe, autoritetet në Beograd ndërvite kanë lëshuar rreth 100 fletëarrestime për ish-pjesëtarët e UÇK-së. /atvlive.tv