Ky do të jetë stadiumi më i madh në botë, por çmimi i ndërtimit është qesharak

Firma amerikane e arkitekturës Populous ka zbuluar detaje të reja në lidhje me fillimin e ndërtimit në “Grand Stade de Casablanca”, mega-stadiumi maroken që do të jetë në garë për të organizuar finalen e Kampionatit Botëror 2030, së bashku me “Santiago Bernabeun” të rinovuar plotësisht të Real Madridit dhe “Camp Noun” e ri të Barcelonës, i cili aktualisht është në ndërtim e sipër.

Stadiumi duhet të ndërtohet deri në vitin 2028 në Benslimane, rreth pesëdhjetë kilometra në lindje të Casablanca.

Është planifikuar të ketë një kapacitet prej 115,000 spektatorësh, duke e bërë atë stadiumin më të madh të futbollit në botë.

Ai gjithashtu do të zëvendësojë “Stade Mohammed V” si stadiumi vendas i klubeve më të mëdha të Marokut, Raja CA dhe Wydad AC.

Ai do të ndërtohet sipas projektit të firmës arkitekturore amerikane Populous, e cila fitoi tenderin ndërkombëtar me konsorciumin e drejtuar nga arkitekti maroken Tarik Oualalou. Kompania amerikane e lartpërmendur bëri dizajnin për “Wembley” dhe stadiumin e ri të Tottenhamit, tribunat për pistën britanike të garave Silverstone dhe disa stadiume amerikane të bejsbollit.

Marokenët shpresojnë që finalja e Kupës së Botës 2030, e organizuar bashkërisht nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, mund të organizohet në atë stadium dhe do të luhen edhe tri ndeshje në Argjentinë, Uruguai dhe Paraguai, që do të shënojnë njëqindvjetorin e Kampionatit të parë Botëror në Uruguai.

Populous shpjegon në faqen e saj të internetit se projekti u frymëzua nga një mbledhje shoqërore tradicionale në Marok, e njohur si “moussem”.

Struktura e saj i ngjan tendave të famshme kaidale marokene. I gjithë stadiumi do të vendoset nën një çati të madhe tende që shfaqet si një ndërhyrje dramatike në peizazhin pyjor.

Kritikët pohojnë se të kujton shumë stadiumin Al Bayt në Katar, arkitektura e të cilit është frymëzuar nga tendat nga vendi i vogël arab ku u mbajt Kupa e Botës së fundit, gjë që tregon mungesën e inovacionit nga kompania që fitoi garën ndërkombëtare marokene.

“Punimet përgatitore janë duke u zhvilluar në një lokacion prej njëqind hektarësh në Benslimane dhe pas miratimit të financimit publik në tetor 2023”, shton i njëjti burim.

“Grand Stade de Casablanca është i rrënjosur thellë në kulturën marokene, me traditat dhe shprehjet e saj bashkëkohore. Ai është i ankoruar në figura të lashta dhe primitive: Moussem, tenda dhe kopshti, si dhe në topografinë dhe peizazhet e Marokut. Grand Stade de Casablanca është mishërimi i traditës së madhe të mikpritjes marokene”, thekson arkitekti maroken Tarik Oualalou.

Disa pyesin pse stadiumi do të mbajë emrin “Grand Stade de Casablanca” kur projekti do të kryhet në një qytet krejtësisht tjetër, prandaj propozojnë emrin Grand Stade du Maroc. Gjithsesi, është një projekt i madh që do t’i prezantojë botës Mbretërinë e Marokut. Çmimi i përcaktuar për ndërtimin është rreth 500 milionë dollarë, por disa mendojnë se në fund gjithçka do të jetë shumë më e shtrenjtë, siç ndodh zakonisht në projekte të tilla në mbarë botën.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here