Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për një tjetër rast të rëndë që u shënua mbrëmjen e së enjtes, ku një burrë në Fushë Kosovë po dyshohet se e ka therur me thikë bashkëshorten e tij, për motive akoma të panjohura. I dyshuari tashmë është arrestuar, ndërkohë që është zbuluar identiteti i tij.
Siç mëson Sinjali i dyshuari që përfundoi në prangat e Policisë është Salvatore Fardella, 53-vjeçar, shtetas i Gjermanisë, i cili ka goditur me thikë gruan e tij 42-vjeçare.
Rasti dyshohet se ka ndodhur në rrugën “Dardania”, në afërsi të një furre, ku pas një konflikti verbal, i dyshuari e sulmoi me mjet të mprehtë viktimën.
Gruaja që u godit nga burri është dërguar menjëherë në Qendrën Klinike Universitare për trajtim mjekësor dhe sipas informacioneve që ka marrë Sinjali, gjendja e saj është stabile.
Në vendin e ngjarjes janë kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërsa Policia tashmë ka nisur hetimet me urdhër të Prokurorit të Shtetit.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.