Moti i paqëndrueshëm pritet të sjellë reshje të dendura shiu dhe shtrëngata në disa zona të Shqipërisë gjatë pasdites së kësaj të hëne.
:
Situata paraqitet më problematike në veri të vendit, ku krahas reshjeve ekziston edhe rreziku i vërshimit të përrenjve malorë dhe rrëshqitjes së dherave.
Shkodra, Kukësi dhe Lezha janë qarqet ku pritet të shfaqen problematikat kryesore. Sipas vlerësimit të Institutit të Gjeoshkencave, reshjet do të prekin gjithashtu Dibrën, Durrësin, Tiranën dhe Elbasanin, ku në disa zona mund të arrijnë intensitet të lartë dhe të shoqërohen me shtrëngata.
Në qarqet e tjera pritet një situatë më e qetë, me reshje kryesisht të dobëta. Për të martën, parashikimi sinjalizon përmirësim të kushteve atmosferike, me reshje të dobëta në të gjithë vendin.
Temperaturat do të mbeten relativisht të buta, me vlera deri në 20 gradë Celsius në zonat e ulëta, ndërsa në zonat malore minimalet do të zbresin në 6 gradë. Era do të jetë mesatare, por përgjatë bregdetit pritet të forcohet.
