BE: Kënga nacionaliste serbe nuk pasqyron qëndrimin tonë, mbështesim Kosovën drejt integrimit evropian

Komisioni Evropian ka reaguar lidhur me interpretimin e këngës nacionaliste serbe në koncertin hapës të Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, duke bërë të ditur se ajo nuk ishte miratuar nga institucioni.Në një përgjigje për GazetaBlic, një zëdhënës i Komisionit Evropian ka sqaruar se përgjegjësia për përzgjedhjen e këngës i takon grupit muzikor.

“Siç deklaroi edhe Komisionerja Kos këtë mëngjes, kënga në fjalë është përzgjedhur nga grupi muzikor dhe nuk është miratuar nga Komisioni Evropian. Na vjen keq për këtë zgjedhje të grupit”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit.

Duke iu referuar ndjeshmërisë së çështjes dhe historisë së Kosovës, zëdhënësi ka theksuar se interpretimi i këngës prek ndjenjat e komuniteteve në vend.

“Kjo këngë prek ndjenja të ndjeshme, veçanërisht duke pasur parasysh historinë e dhimbshme dhe përvojat e ndryshme të komuniteteve në Kosovë”, thuhet më tej në përgjigje.Zëdhënësi ka theksuar se interpretimi nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Komisionit Evropian apo të Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, ndaj Kosovës dhe historisë së saj.

“Kënga në asnjë mënyrë nuk pasqyron qëndrimin e Komisionit Evropian apo të Komisioneres Kos lidhur me Kosovën dhe historinë e saj”, ka deklaruar ai.Më tej, zëdhënësi ka përcjellë mesazhin e BE-së për tejkalimin e ndasive dhe ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët evropiane.
“Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën tonë të përbashkët, por mund ta zgjedhim të ardhmen tonë të përbashkët. Dhe kjo e ardhme duhet të jetë evropiane, një e ardhme pa ndasi, ku secili ndihet si në shtëpinë e vet”.

Ai ka shtuar se Bashkimi Evropian nuk kërkon që njerëzit t’i harrojnë dallimet e tyre, por synon ndërtimin e një Evrope ku ato nuk shërbejnë si arsye për ndarje.“Ne nuk po u kërkojmë njerëzve t’i harrojnë dallimet e tyre. Ne po ndërtojmë një Evropë ku dallimet nuk janë më arsye për të jetuar të ndarë”, thuhet në reagim.Në fund, zëdhënësi ka përcjellë edhe një mesazh nga aktiviteti i së hënës, duke theksuar se dallimet nuk duhet të shndërrohen në ndasi.“Siç tha njëri nga folësit në aktivitetin e djeshëm: dallimet janë të mira, ndasitë jo”.

Ai ka përfunduar duke ritheksuar përkushtimin e Bashkimit Evropian për perspektivën evropiane të Kosovës.

“Në këtë frymë, ne do të vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME