Një objekt misterioz që po lëviz nëpër Sistemin Diellor ka tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve për shkak të përshpejtimit të pazakontë, duke nxitur spekulime se mund të jetë një anije hapësinore e ish-Bashkimit Sovjetik, e cila humbi kontaktet me Tokën gati 40 vjet më parë.
Objekti, i njohur si 1998 KY26, ka një diametër prej rreth 11 metrash dhe lëviz pranë Tokës.
Astronomët kanë vërejtur se trajektorja e tij nuk mund të shpjegohet plotësisht nga forca gravitacionale e Diellit dhe Tokës.
Ky fenomen njihet si “përshpejtim jogravitacional”, që nënkupton se në lëvizjen dhe shpejtësinë e objektit ndikojnë edhe forca të tjera përveç gravitetit.
Drejtuesi i NASA-s, Jared Isaacman, deklaroi se agjencia po e monitoron objektin, por theksoi se nuk ka arsye për shqetësim.
Sipas tij, nuk ekziston ndonjë kërcënim i njohur për Tokën dhe as prova që objekti mund të përplaset me planetin tonë.
A mund të jetë anija sovjetike Phobos 1?
Astrofizikani i Universitetit të Harvardit, Avi Loeb, së bashku me studiuesit Adam Hibberd dhe Adam Crowl, kanë paraqitur një hipotezë të pazakontë.
Sipas tyre, objekti mund të jetë Phobos 1, një sondë hapësinore pa ekuipazh, e lëshuar nga Bashkimi Sovjetik më 7 korrik 1988, e cila humbi kontaktet me Tokën gjatë udhëtimit drejt Marsit.
Studiuesit krijuan një model të thjeshtuar të sondës dhe krahasuan mënyrën se si ajo do ta reflektonte dritën e Diellit gjatë rrotullimit me vëzhgimet e objektit 1998 KY26.
Rezultatet treguan përputhje me tetë grupe të ndryshme vëzhgimesh.
Objekti reflekton rreth 52 për qind të dritës së Diellit dhe kryen një rrotullim të plotë çdo 5.35 minuta.
Sipas Loebit dhe kolegëve të tij, këto karakteristika mund të përputhen me hipotezën se bëhet fjalë për një objekt artificial.
Megjithatë, kjo teori mbetet e paprovuar.
Shkencëtarët kanë edhe shpjegime të tjera
Një studim i vitit 2023 sugjeroi se 1998 KY26 mund të jetë një “kometë e errët”, që përmban ujë të bllokuar brenda saj.
Kur uji shndërrohet në gaz, ai mund të krijojë një forcë shtytëse që ndikon në lëvizjen e objektit.
Megjithatë, astronomët nuk kanë zbuluar ndonjë re gazi apo bisht, siç ndodh zakonisht te kometat.
Një studim tjetër shkencor ka arritur në përfundimin se objekti ka shumë të ngjarë të jetë një asteroid i dehidratuar, ndërsa një shpjegim tjetër i mundshëm për përshpejtimin e tij është presioni i rrezatimit diellor.
Vëzhgime të tjera mbështesin gjithashtu mundësinë që bëhet fjalë për një asteroid natyror shkëmbor dhe jo për një anije të vjetër hapësinore.
Misioni japonez mund ta zbulojë misterin
Përgjigjja përfundimtare mund të vijë nga Japonia.
Anija hapësinore Hayabusa2 pritet të arrijë pranë objektit 1998 KY26 në korrik të vitit 2031, për ta studiuar atë nga afër.
Fotografitë dhe matjet që do të realizohen gjatë këtij takimi mund të tregojnë nëse objekti është një trup natyror shkëmbor apo diçka e krijuar nga njeriu.
Deri atëherë, hipoteza e Avi Loebit mbetet një teori interesante, por pa prova përfundimtare.
Astrofizikani i Harvardit madje ka bërë shaka se kamerat e Hayabusa2 mund të zbulojnë një mbishkrim “Made in the U.S.S.R.” (Prodhuar në BRSS). /Telegrafi/
