A e ka zbuluar shkenca çelësin e origjinës së jetës? Molekula e ARN-së befason studiuesit

Një molekulë e vogël e acidit ribonukleik, ARN, që mund të kopjojë vargje të tjera të ARN-së, ka dhënë mbështetje për një hipotezë mbi fillimin e jetës. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse molekula të tilla kanë ekzistuar në Tokën e hershme dhe nëse ato do të mjaftonin për krijimin e jetës, shkruan Quanta Magazine në një artikull shpjegues.

Hipoteza e “botës së ARN-së”, e mbështetur nga fizikani dhe biologu Walter Gilbert, supozon se përpara jetës siç e njohim sot mund të kenë ekzistuar molekula ARN-je që kopjoheshin dhe ndryshonin. Në qelizat e sotme, ADN-ja ruan informacionin gjenetik, ARN-ja ndihmon në përdorimin e tij për prodhimin e proteinave, ndërsa proteinat janë të nevojshme edhe për kopjimin e ADN-së.
Sipas Quanta Magazine, zbulimi në fund të viteve 1980 se disa molekula ARN-je mund të përshpejtojnë reaksione kimike ofroi një rrugë të mundshme për zgjidhjen e kësaj ndërvarësie.

Këto molekula, të quajtura ribozime, mund të bartin informacion dhe të veprojnë si katalizatorë. Në vitin 1996, studiuesit krijuan një ribozim që bashkonte nukleotidet për të formuar ARN.Por eksperimentet kanë treguar edhe vështirësitë e hipotezës.

Në vitin 2019, biologu Gerald Joyce nga Instituti Salk dhe kolegët e tij zbuluan se mutacionet gjatë evolucionit të ribozimeve sintetike zakonisht ua zhduknin aftësinë katalitike. Ribozimet e tyre përbëheshin nga qindra nukleotide, ndërsa eksperimentet për formimin spontan të ARN-së kanë prodhuar vargje shumë më të shkurtra, me rreth 10 deri në 15 nukleotide.

Një ekip i udhëhequr nga biologu Philipp Holliger në Laboratorin e Biologjisë Molekulare të MRC-së në Britani krijoi më pas QT45, një molekulë me 45 nukleotide që mund të kapë dhe të kopjojë një varg tjetër ARN-je. Studimi është botuar në revistën Science. Holliger tha për Quanta Magazine se molekula, në parim, mund të kopjojë çdo sekuencë. Ekipi gjeti edhe dy molekula të tjera të vogla me veprim të ngjashëm, në një grup fillestar prej rreth 10 trilionë molekulash të ndryshme.

Ekipi ka treguar gjithashtu se ciklet e ndryshimit të aciditetit, të kombinuara me ngrirjen dhe shkrirjen, mund të nxisin kopjimin e ARN-së. Megjithatë, sipas artikullit, nuk dihet nëse në Tokën e hershme ka pasur një mjedis të përshtatshëm për një botë të ARN-së. Për më tepër, jeta do të kishte nevojë edhe për një formë metabolizmi që të merrte energji nga mjedisi dhe ta përdorte për prodhimin e molekulave të dobishme.
Burimi: Quanta Magazine

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME