Shumë imamë nga Kosova morën pjesë në Konferencën ku foli përfaqësuesi i Hamasit

Nacionale ka siguruar shtatë fotografi nga asambleja e Unionit Botëror të Dijetarëve Myslimanë në Doha, në janar 2024. Dy prej tyre përputhen me fotot që vetë imami Bashkim Aliu i publikoi atëherë në Facebook, në një postim të shkruar në shumës: “u takuam”, “na priti”. Sipas burimit – i cili ka kërkuar të mbetet anonim – në grup ishin edhe imamë nga Kosova dhe diaspora.

Në këtë asamble, më 9 janar, foli edhe udhëheqësi i atëhershëm i Hamasit, Ismail Haniyeh. Në fotografi shihet një grup burrash me bexha të asamblesë.

Pjesëmarrja në këtë asamble ishte njëra nga dy arsyet kryesore pse imam Bashkim Aliu, të cilin gazeta zvicerane SonntagsZeitung e quan “imamin më me ndikim në Zvicër”, u largua javën e kaluar nga funksionet në dy organizata të mëdha myslimane të Zvicrës. Postimi i tij nga Doha dhe fotografitë tregojnë se ai nuk ishte vetëm.“U takuam”, “na priti”
Më 10 janar 2024, nga Doha, Aliu shkroi në Facebook se “gjatë Asamblesë së Gjashtë të Unionit Botëror të Dijetarëve Muslimanë”, “patëm rastin të takohemi me shumë personalitete të shquara në botën islame”.

Postimi është i shkruar në shumës. “U takuam me kryetarin e posazgjedhur të UBDM, dijetarin e shquar Ali Muhjuddun Karadagi”, shkruante Aliu. Sipas tij, grupi u takua edhe me “dijetarin e madh nga Mauritania, Muhamed El Hasen Esh Shenkiti”, i cili “na priti me një ndjenjë të veçantë” dhe u shpreh se “u ka borxh shqiptarëve”, sepse profesorët që ndikuan në formimin e tij ishin shqiptarë. Bëhet fjalë për Muhamed el-Hasen ed-Dedev esh-Shenkiti, nënkryetar i IUMS-it.

SonntagsZeitung e publikoi postimin bashkë me fotografitë e tij. Sipas gazetës, në to Aliu përshëndet Karadagin dhe qëndron pranë Dedevit.

Fotot
Nacionale i ka marrë shtatë fotografitë nga një burim që ka kërkuar të mbetet anonim. Pesë prej tyre janë bërë para sfondeve zyrtare të IUMS-it. Në njërën, në ekranin e madh pas grupit lexohen titulli “6th Term General Assembly Meeting” dhe emri i organizatës. Në dy të tjera, teksti arabisht në ekran jep datat “24–29 Xhumade el-Ahire 1445”, që përkojnë me 6–11 janar 2024, dhe vendin: “Doha – Katar”. Dy të tjerat janë bërë para murit të gjelbër me emrin e IUMS-it. Në fotografinë me grupin më të madh shihen 13 burra, shumica me bexha në qafë. Fotografia e gjashtë është bërë në një korridor; në njërin nga bexhët lexohen logoja e IUMS-it dhe titulli arabisht i asamblesë së gjashtë. E shtata tregon shtatë burra të ulur në një sallon me piktura dhe mobilje të praruara.

Dy nga fotografitë përputhen me skenat në postimin e Aliut të 10 janarit 2024. Njëra tregon grupin para murit të gjelbër, me një dijetar me mantel të zi. Tjetra tregon grupin me një dijetar të moshuar me rrobë të bardhë dhe shkop. Kjo përputhje e lidh grupin në fotografi me grupin me të cilin Aliu ishte në Doha. Fotografitë nuk tregojnë nëse dikush nga grupi ishte në sallë kur foli Haniyeh.

Sipas burimit, në grup ishin imamë dhe kryeimamë që shërbejnë aktualisht në disa qytete të Kosovës dhe në diasporë, si dhe drejtues të dy organizatave joqeveritare. Nacionale e ka listën e emrave që dërgoi burimi dhe po e verifikon në mënyrë të pavarur. Deri në përfundim të verifikimit dhe pa i dëgjuar personat në fjalë, Nacionale nuk publikon as emrat, as fytyrat e tyre. Çka ishte konferenca e Dohës
Asambleja e Përgjithshme e IUMS-it, e mandatit të gjashtë, u hap në Doha më 6 janar 2024 dhe, sipas sfondit zyrtar, zgjati deri më 11 janar. Ajo u mbajt tre muaj pas sulmit të Hamasit të 7 tetorit 2023 në Izrael, ku u vranë rreth 1.200 njerëz dhe u morën peng 251 të tjerë, dhe në mes të luftës në Gaza. Sipas mediave rajonale, punimet u zhvilluan në hotelin Sheraton të Dohës. IUMS-i raportoi rreth 900 dijetarë nga pesë kontinentet; në seancën e votimit për kryetarin ishin të pranishëm 651.

Më 8 janar, Ali el-Karadagi, deri atëherë sekretar i përgjithshëm i organizatës, u zgjodh kryetar me 91,51 për qind të votave.

Të nesërmen, më 9 janar, asamblesë iu drejtua Ismail Haniyeh, atëherë kreu i byrosë politike të Hamasit, i cili jetonte në Doha. Sipas Al Jazeera-s, ai tha se “ka ardhur koha që rezistenca të mbështetet me armë, sepse kjo është beteja e Al-Aksas dhe jo vetëm e popullit palestinez”. Thirrjen e tij për armë e raportoi edhe agjencia AFP. Sipas agjencisë Anadolu, ai u kërkoi dijetarëve të formonin delegacione dhe t’u drejtoheshin zyrtarëve të vendeve të tyre. Sipas përkthimit të institutit amerikan MEMRI, Haniyeh tha gjithashtu se “duhet ta mbajmë fitoren që ndodhi më 7 tetor dhe të ndërtojmë mbi të”. Këtë fjali e citojnë edhe Liga Kundër Shpifjes (ADL), duke iu referuar videos së fjalimit, edhe SonntagsZeitung. Po sipas MEMRI-t, ai i quajti ndihmat për Gazën “xhihad financiar”. Haniyeh u vra në Teheran në korrik 2024.Çka është IUMS-i
IUMS-i u themelua në vitin 2004, me Jusuf el-Kardavin si kryetar themelues. Organizata u regjistrua në Dublin, mbajti asamblenë e parë në Londër dhe, sipas vetë IUMS-it, e zhvendosi selinë në Doha më 2011. Kardavi, i cili vdiq në vitin 2022, konsiderohej për dekada ideologu më me ndikim i Vëllazërisë Myslimane. SonntagsZeitung e përshkruan IUMS-in si “të ndërthurur ngushtë” me këtë lëvizje.

Emiratet e Bashkuara Arabe e futën IUMS-in në listën e tyre të organizatave terroriste në nëntor 2014. Në nëntor 2017, në kulmin e krizës diplomatike me Katarin, Arabia Saudite, Emiratet, Egjipti dhe Bahreini e përfshinë në listën e tyre të përbashkët. IUMS-i i quajti akuzat “të pavërteta dhe pa asnjë bazë”.

IUMS-i nuk figuron në listat e terrorizmit të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Kur Uashingtoni, në janar 2026, shpalli terroriste degët e Vëllazërisë Myslimane në Liban, Egjipt dhe Jordani, IUMS-i nuk ishte mes tyre. Ai nuk përmendet as në vendimin e 10 nëntorit 2026, me të cilin një gjykatë në Kajro futi në listën egjiptiane të terrorizmit 35 organizata evropiane.Gjurmët e IUMS-it në Kosovë
Rasti i Aliut nuk është lidhja e vetme shqiptare me IUMS-in.

Në prill 2013, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, vizitoi selinë e IUMS-it në Doha. Sipas Bashkësisë Islame të Kosovës, atë e priti sekretari i përgjithshëm i atëhershëm, Ali el-Karadagi, dhe palët u pajtuan ta thellonin bashkëpunimin.

Në gusht 2024, shtatë muaj pas asamblesë së Dohës, BIK-u njoftoi në faqen e vet se IUMS-i, “në marrëveshje me Bashkësinë Islame të Kosovës”, kishte nisur në Stamboll një trajnim njëjavor për imamë. Morën pjesë 20 imamë nga Kosova, 10 nga Shqipëria, 5 nga Maqedonia e Veriut dhe 3 nga Lugina e Preshevës. Mes ligjëruesve ishin Karadagi, tashmë kryetar i IUMS-it, dhe Ali es-Sallabi, të cilin BIK-u e prezantoi si nënkryetar të Unionit.

Në fund të tetorit 2025, Karadagi ishte në Prishtinë. Sipas faqes së IUMS-it, atë e priti AKEA, e cila në regjistrin e OJQ-ve të Kosovës figuron si “Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim”. Kryetarin e AKEA-s IUMS-i e paraqet si anëtar të vetin. Gjatë vizitës, Karadagi mbajti një ligjëratë për zekatin dhe vakëfin; ekrani në sallë, në fotografinë e publikuar nga IUMS-i, shënon datën 29 tetor 2025.Rasti në Zvicër
Më 8 nëntor, SonntagsZeitung publikoi hulumtimin e gazetares Bettina Weber për Aliun, imam me origjinë nga Tetova. Deri në mes të javës së kaluar, ai drejtonte Komisionin e Imamëve të Federatës së Organizatave Ombrellë Islame të Zvicrës (FIDS). Njëkohësisht, ishte autoriteti kryesor teologjik i Bashkimit të Organizatave Islame në Cyrih (VIOZ), organizata më e madhe myslimane e kantonit, dhe në këtë rol mbante kontakte të rregullta me autoritetet e Cyrihut.

Gazeta ngriti, ndër të tjera, dy çështje. E para ishte një postim i Aliut në Facebook, i 10 tetorit 2017, ku ai e quante “paradë të turpit” paradën e parë të krenarisë në Prishtinë. Në të njëjtin postim, ai pyeste pse “Hashimi, Delawie, Ramushi dhe të tjerë si ata” nuk kishin thënë asnjë fjalë për vajzat me shami, të cilat, sipas tij, pengoheshin të shkolloheshin në Kosovë. E dyta ishte pjesëmarrja e tij në asamblenë e IUMS-it në Doha, organizatë që gazeta e përshkruan si “të ndërthurur ngushtë” me Vëllazërinë Myslimane. FIDS-i deklaroi se nuk kishte qenë në dijeni për pjesëmarrjen e Aliut deri në pyetjet e gazetës, edhe pse ai e kishte publikuar vetë udhëtimin në Facebook. “Pjesëmarrjen në një konferencë me pjesëmarrësit dhe lidhjet politike që ju përmendni nuk do t’ua lejonim imamëve tanë”, shkroi FIDS-i, i cili e liroi Aliun nga detyrat me efekt të menjëhershëm.

Kryetari i VIOZ-it, Muris Begovic, shkroi se Aliu “nuk mori pjesë në atë aktivitet as si përfaqësues i VIOZ-it, as me autorizimin e saj” dhe se pjesëmarrja e tij po shqyrtohet. Sipas Begovicit, Aliu dha dorëheqje me efekt të menjëhershëm nga të gjitha postet dhe funksionet brenda VIOZ-it. Raportimet zvicerane nuk thonë nëse ai vazhdon të shërbejë si imam në ndonjë xhami. Aliu nuk pranoi të komentonte për SonntagsZeitung.

VIOZ-i mori nga Kantoni i Cyrihut rreth 2,5 milionë franga mes viteve 2017 dhe 2025 për projektin Quams të përkujdesjes shpirtërore për myslimanët, ndërsa qyteti i Cyrihut e mbështet me 50 mijë franga në vit.

Pyetjet
Rasti i Aliut në Zvicër ngriti një pyetje që në Kosovë ende nuk është bërë publikisht: nëse pjesëmarrja në Doha ishte njëra nga arsyet pse institucionet zvicerane u ndanë nga një imam, si e shohin të njëjtin fakt institucionet fetare në Kosovë?

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME