“Po përgatitej për grusht shteti”, ‘The Times’ zbulon skenarin e Vuçiç pas humbjes; telefonatat që e ndaluan

Aleksandar Vuçiç ishte i gatshëm të përdorte forcën për të kundërshtuar humbjen në zgjedhjet parlamentare në Serbi, por ndryshoi qëndrim pas disa telefonatave paralajmëruese.Kështu shkruajnë për gazetën britanike The Times ish-zyrtarë të sigurisë dhe përfaqësues politikë, të cilët thonë se në Beograd ishte përgatitur një skenar për të penguar njohjen e rezultatit zgjedhor.

Sipas dëshmive të cituara nga gazeta, Vuçiç pas 12 vitesh në pushtet, ishte i vendosur të mos largohej, por u tërhoq pasi u bë e qartë se Lista Studentore kishte marrë rreth 500 mijë vota më shumë se forcat e tij politike. Megjithatë, këto pretendime nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur, ndërsa zyra e presidentit serb i ka mohuar, duke argumentuar se dislokimi i shtuar i policisë erdhi si përgjigje ndaj kërcënimeve për dhunë nga protestuesit.

Spasoje Vuleviç, ish-komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste të Serbisë, deklaroi për The Times se besonte se Vuçiç kishte planifikuar të mos e njihte rezultatin.

“Dërgoi 4.000 policë dhe 3.000 njerëz të dhunshëm në qendër të Beogradit të dielën për ta mbrojtur regjimin. Jam 100 për qind i sigurt se kishte planifikuar të refuzonte njohjen e rezultateve”, pretendoi Vuleviç.

Edhe Sandro Gozi, deputet i Parlamentit Evropian dhe kryetar i Partisë Demokratike Evropiane, tha se gjatë ditës së zgjedhjeve kishin mbërritur informacione shqetësuese nga burime diplomatike.

“Të dielën morëm informacione alarmante nga burime diplomatike se Vuçiçi ishte i gatshëm të luftonte dhe të kryente grusht shteti”, deklaroi Gozi.

Radomir Saiçiq, një nga kandidatët kryesorë të Listës Studentore, pretendoi gjithashtu se ishte përgatitur një plan për të kundërshtuar rezultatin me forcë, por se disa telefonata e kishin ndryshuar situatën në momentin e fundit.

Sipas tij, Vuçiçit i ishte bërë e qartë se zbatimi i një plani të tillë do të kishte pasoja të rënda politike për të. Saiçiq tha gjithashtu se një ish-polic, i cili u kishte kërkuar kolegëve të mos ushtronin dhunë ndaj protestuesve, kishte marrë një kërcënim anonim: “Plumbi i parë është për ty”.

Burra të veshur me të zeza në qendër të Beogradit
Sipas raportimit të The Times, ndërsa qytetarët po votonin, grupe burrash të veshur me të zeza u drejtuan drejt Parkut të Pionierëve në Beograd, ku prej muajsh ndodhej një kamp me tenda i ngritur nga mbështetësit e Vuçiçit.Vuleviç tha se këta persona lëviznin në grupe të vogla, me nga 20 deri në 30 anëtarë. Në zonë u dislokuan edhe pjesëtarë të xhandarmërisë, disa rrugë u mbyllën për qarkullim dhe ndriçimi publik u fik.

Rade Gjurçiq, jurist i Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë, tha se dyshonte që autoritetet kishin përgatitur një skenar për të kundërshtuar rezultatet zgjedhore. Sipas tij, plani mund të niste me pretendime për parregullsi gjatë votimit dhe kërkesën për përsëritjen e zgjedhjeve, çka do të nxiste protesta dhe përplasje.

Gjurçiq pretendoi se dhuna mund të përdorej më pas si argument për anulimin e rezultatit. Sipas The Times, rreth orës 21:30, një orë e gjysmë pas mbylljes së qendrave të votimit, Vuçiç hoqi dorë nga kundërshtimi i rezultateve, ndërsa grupet e mbledhura në qendër të Beogradit u shpërndanë.

Në Serbi qarkulluan edhe pretendime të pakonfirmuara se kryeministri hungarez, Viktor Orban, kishte ndërhyrë përmes një telefonate për ta bindur Vuçiçin të tërhiqej. Megjithatë, raportimi nuk paraqet prova që konfirmojnë këtë version.

Vuleviç tha se, sipas bindjes së tij, Vuçiçi ishte vënë nën presion të madh për të pranuar humbjen dhe se telefonatat mund të kishin ardhur nga qeveri evropiane, në nivelin më të lartë.

Zyra e Vuçiçit mohon planin për të mbajtur pushtetin me forcë
Zyra e presidentit serb i tha gazetës britanike se prania e shtuar e policisë në Beograd ishte përgjigje ndaj kërcënimeve për dhunë nga protestuesit dhe nuk kishte lidhje me ndonjë plan për të penguar rezultatin zgjedhor.

Nga ana tjetër, Gozi tha se nuk mund të përjashtohej mundësia që zyrtarë evropianë të kishin ndërhyrë përmes telefonatave, por theksoi se numri i votave kundër Vuçiçit kishte qenë tepër i madh.

“Vuçiçi ishte krejtësisht i befasuar”, deklaroi ai.

Pretendimet e ish-zyrtarëve dhe politikanëve, të raportuara nga The Times, paraqesin një version të zhvillimeve në ditën e zgjedhjeve, ndërsa zyra e presidentit serb kundërshton interpretimin se policia ishte mobilizuar për të mbrojtur pushtetin e tij me forcë.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME