Një seri e re demonstratash masive ka përfshirë sot qytetet kryesore të Italisë, ku protestat kundër rritjes së kostos së jetesës dhe çmimeve të karburantit janë shoqëruar me tensione e përleshje të ashpra mes qytetarëve dhe forcave të rendit.
Në Romë, një marshim i fuqishëm u organizua nga sindikata Cgil, e cila numëron 4.5 milionë anëtarë. Sekretari i përgjithshëm i saj, Maurizio Landini, njoftoi zyrtarisht organizimin e një greve të përgjithshme më 20 nëntor, datë që përkon edhe me protestën mbarëevropiane të studentëve.
Ndërkaq, në Torino manifestimet u fokusuan kundër shtrenjtimit të jetesës dhe partisë së ekstremit të djathtë “E Ardhmja Kombëtare”, e drejtuar nga ish-gjenerali Roberto Vannacci. Incidente serioze u shënuan edhe në Bolonjë, ku protestues të rinj me fytyra të mbuluara u përleshën me policinë, e cila iu përgjigj goditjeve me gurë e shishe përmes përdorimit të shkopinjve të gomës dhe gazit lotsjellës.
Situata më e rënduar u regjistrua në Milano, ku sheshi qendror “Duomo” u kthye në skenë kaosi. Përplasjet mes policisë dhe protestuesve që hodhën bomba tymuese e karrige restorantesh detyruan ndërhyrjen e trupave me shkopinj gome e ujëhedhëse. Bilanci paraprak flet për të paktën 50 persona të arrestuar dhe disa të lënduar — mes të cilëve një vajzë e re dhe një efektiv policie me dëmtime në kokë —, ndërsa turistët e banorët u detyruan të strehoheshin me urgjencë në dyqanet e pallatet përreth.
