Drejtori i Drejtorisë së Pronës në Komunën e Fushë-Kosovës, Gëzim Zogjani, i është kundërvënë kryetarit të kësaj komune, Valon Prebrezës, pasi ky i fundit ka kërkuar shkarkimin e tij pas arrestimit nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare në rastin e tjetërsimit të një prone me vlerë rreth 1.5 milionë euro.
Në një reagim të datës 10 shtator, përmes avokatit Faton Hyseni, të cilën e ka parë Insajderi, Zogjani i ka kërkuar kryetarit Prebreza që të pezullojë çdo iniciativë për lirimin e tij nga detyra deri në përfundimin e masës së sigurisë dhe procedurës gjyqësore.
Në reagim thuhet se më 9 shtator Gjykata ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj Zogjanit, duke i shqiptuar atij masa alternative të sigurisë – paraqitje në polici dhe ndalesë për t’iu afruar objektit të Komunës.
Avokati thotë se Zogjani gëzon plotësisht prezumimin e pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë.
“Paqësia e përkohshme fizike për të qenë në objektin e punës rrjedh ekskluzivisht nga një masë e përkohshme sigurie e caktuar nga Gjykata deri më 08.10.2026”, thuhet në reagim.
Më tej, avokati i kërkon Prebrezës që të mos ndërmarrë “çdo iniciativë për lirimin e parakohshëm nga detyra” të Zogjanit deri në përfundimin e masës së sigurisë ose zgjidhjes meritore të rastit nga organet e drejtësisë.
“Çdo ndërmarrje në këtë drejtim do të konsiderohej si paragjykim i fajësisë dhe shkelje të të drejtave të tij”, thuhet në reagim.
Zogjani ishte arrestuar më 8 shtator bashkë me katër persona të tjerë, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar lidhur me një pronë prej rreth dy hektarësh në Fushë Kosovë, me vlerë të dyshuar rreth 1.5 milionë euro. Sipas Prokurorisë, të dyshuarit dyshohet se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare për t’i mundësuar një personi pajisjen me fletë poseduese, ndërsa më pas prona dyshohet se është tentuar të tjetërsohet përmes shitblerjes dhe dokumenteve të falsifikuara.
