Mosbindje civile, bllokim institucionesh dhe rrugësh, si dhe pjesëmarrje masive në protestat e radhës, ishin thirrjet që erdhën nga sheshi në ditën e 99-të të protestës kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.
Aktivisti Ilir Xhemalaj u bëri thirrje qytetarëve të dalin masivisht më 7 shtator, kur protesta mbush 100 ditë.
Ai kërkoi që aksioni të përshkallëzohet përmes mosbindjes civile, duke përsëritur si kërkesa kryesore dorëheqjen e Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike.
“Do t’i ftoja të gjithë në protestë kombëtare nesër, të vazhdojmë mosbindjen civile ndryshe këta nuk marrin vesh, të bllokojmë institucione, të bllokojmë rrugët , t’i detyrojmë të japin dorëheqjen. Dy pikat e kryesore që kemi shpallur janë urgjente. Rama jep dorëheqjen dhe qeveri teknike”, tha protestuesi.
Thirrje për mobilizim erdhi edhe nga aktivistja Arvina Lleshi, e cila njoftoi se më 8 shtator, në orën 17:00, protestuesit do të mblidhen përpara Parlamentit.
Sipas saj, qytetarët duhet t’i kërkojnë dorëheqjen klasës politike dhe t’u përcjellin deputetëve mesazhin se nuk ndihen të përfaqësuar prej tyre.
“Nesër bëjmë 100 ditë të bashkohemi masivisht në shesh. T’i kërkojmë kësaj klase politike dorëheqje. Më datë 8 në orën 17:00 takohemi te Parlamenti, për t’ju thënë që nuk na përfaqësoni. Parlament i krimit”, tha ajo.
Protesta mbush 100 ditë më 7 shtator, ndërsa një ditë më pas aksioni është paralajmëruar të zhvendoset para Parlamentit.
