Brazili, vendi nga i cili Shqipëria siguron pjesën më të madhe të mishit të importuar, nuk do të mund të eksportojë më ngarkesa të reja të mishit të shpendëve dhe gjedhit drejt tregut shqiptar duke nisur nga sot.
Sipas përllogaritjeve të bazuara në të dhënat e INSTAT, nga janari deri në qershor Shqipëria importoi në total 23 mijë tonë mish, me vlerë 46.3 milionë euro. Brazili zinte 34.6% të këtyre furnizimeve.
Pikërisht ndaj këtij furnizuesi të rëndësishëm hyn në fuqi sot, më 3 shtator, ndalimi zyrtar i importit. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit e kishte paralajmëruar masën disa ditë më parë, pasi Brazili u hoq nga lista e vendeve të autorizuara të Bashkimit Evropian.
Shkak për vendimin është dështimi në ofrimin e garancive të sigurisë lidhur me përdorimin e antibiotikëve dhe stimuluesve për rritjen e kafshëve.
Ndalimi, megjithatë, nuk do të prekë ngarkesat që janë pajisur më herët me dokumentacionin përkatës.
Ngarkesat e mishit të shpendëve dhe gjedhit me certifikata të lëshuara përpara 3 shtatorit do të vazhdojnë të pranohen në Shqipëri, edhe në rastet kur mbërrijnë pas hyrjes në fuqi të masës.
Shqipëria importon prej më shumë se dy dekadash mish dhe nënprodukte të tij nga Brazili, i cili renditet i pari mes vendeve nga të cilat sigurohen këto produkte.
