Eksperimenti i vitit 1981: Çka zbuloi raporti i shkenctarëve amerikanë për projektin e gazifikimit në Obiliq?

Dokumenti i Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit i vitit 1981 zbulon rrezikun e lartë mjedisor nga gazifikimi i qymyrit të Kosovës.

Teksa diskutimet mbi projektin amerikan për gazin dhe opsionet e gazifikimit të qymyrit vazhdojnë të diktojnë debatin publik në Kosovë, një raport i vitit 1981 i Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) alarmon për ndikimin mjedisor të “Fabrikës së Gazifikimit të Qymyrit në Obiliq” gjatë periudhës së ish-Jugosllavisë.

Shtetet e Bashkuara planifikonin ndërtimin e impianteve të tyre të gazifikimit të qymyrit pas periudhës së krizës energjetike të viteve 1970, mirëpo për shkak të mungesës së të dhënave mbi ndikimin mjedisor, shkenctarët amerikanë shfrytëzuan impiantin ekzistues në Obiliq, ku standardet mjedisore ishin pothuajse inekzistente.

“Përfundimi kryesor është se procesi përbën potencial të lartë për ndotje. Të gjitha rrjedhat e shkarkimit nga procesi i gazifikimit janë rrugë të mundshme për transferimin e ndotësve në mjedis”, thuhet në raportin prej 325 faqesh të EPA-s.

Për të vlerësuar shkallën e rrezikut nga teknologjia Lurgi, shkencëtarët amerikanë aplikuan modelin e tyre të vlerësimit të quajtur Source Analysis Model/1A (SAM/1A), i cili përcaktoi se përbërësit e sulfurit, veçanërisht gazi i pasur me acid sulfhidrik, përbënin rrezikun më të madh mjedisor për ajrin dhe rrjedhimisht, për shëndetin.

Ky gaz tejet toksik, i cili shkarkohej në sasi masive, shfaqte rreziqe serioze për sistemet respiratore dhe nervore të popullatës, sipas raportit të EPA-s amerikane, ndërsa paralelisht, procesi helmonte ujërat përmes shkarkimit të ujërave të zeza fenolike.

Në sektorin e mbetjeve të ngurta, katrani i rëndë ishte klasifikuar si kërcënimi me prioritetin më të lartë për kontroll për shkak të përmbajtjes së lartë të përbërësve aromatikë polinuklearë (PNA’s) që vlerësohen tejet kancerogjenë, ndërsa në mungesë të metodave për asgjësim të kontrolluar, ky katran depozitohej duke krijuar potencial të lartë për toksifikimin afatgjatë të tokës dhe ujërave rreth Obiliqit.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME