Të zhdukesh për të shpëtuar: Historia e njerëzve që fshijnë të kaluarën për të mbetur gjallë

Çdo vit në Japoni, mijëra njerëz marrin vendimin radikal për të prerë çdo lidhje me jetën e tyre aktuale dhe për t’u zhdukur pa lënë gjurmë. Ky fenomen social, i njohur lokalisht si “johatsu” (fjalë për fjalë: “avullim”), mbështetet nga një industri unike e shërbimeve të fshehta të shpërnguljes dhe nga ligje strikte të privatësisë që e bëjnë pothuajse të pamundur gjetjen e tyre nga familjarët.

Ndryshe nga zhdukjet e detyruara, johatsu është një akt tërësisht vullnetar, i nxitur nga presioni ekstrem social, borxhet financiare ose dështimet personale.
​Për të lehtësuar këtë proces, në Japoni operojnë agjenci të specializuara të quajtura “yonige-ya” (dyqanet e ikjes natën). Këto kompani ofrojnë operacione klandestine me kosto që variojnë nga 400 deri në mbi 3,000 dollarë, varësisht nga rreziku dhe sasia e bagazhit.

Nëse klienti është në ndjekje nga fajdexhinjtë apo partnerët abuzivë, agjencitë organizojnë shpërngulje të shpejta në mes të natës, duke përdorur automjete të panjohura dhe duke siguruar banesa sekrete në lagje ku askush nuk pyet për të kaluarën.

​Arsyeja kryesore pse këta njerëz arrijnë të mbeten të padukshëm lidhet me legjislacionin e rreptë të Japonisë për mbrojtjen e të dhënave personale. Nëse nuk ka dyshime të bazuara për krim apo vetëvrasje, policia nuk ka të drejtë ligjore të ndërhyjë apo të gjurmojë transaksionet bankare, lëvizjet e kartave ID apo GPS-in e personit. Për më tepër, Japonia nuk ka një sistem unik të kartës kombëtare të identitetit të lidhur me çdo aspekt të jetës private, gjë që ua lehtëson “të avulluarve” jetesën në hije, duke punuar në punë që paguhen me para në dorë.
​Rrënjët e këtij fenomeni shtrihen thellë në kulturën japoneze të konformizmit dhe konceptit të “sekentei” (reputacioni shoqëror).

Në një shoqëri ku dështimi në karrierë, divorci apo falimentimi shihen si një turp i pashlyeshëm për të gjithë familjen, izolimi ose zhdukja konsiderohen shpesh si mënyra e vetme për të ruajtur nderin e të afërmve. Sociologët theksojnë se për shumë individë të mbytur në borxhe ose nën stresin e tmerrshëm të punës (karoshi), ky buton “restart” është e vetmja alternativa për të shmangur vetëvrasjen.

​Termi johatsu filloi të përdorej gjerësisht në vitet 1960, pas suksesit të filmit “The Pornographers” të regjisorit Shohei Imamura, ku një nga personazhet vendos të zhduket papritur. Fenomeni pësoi një rritje masive në vitet 1990, pas plasjes së flluskës ekonomike në Japoni, kur mijëra burra të mbetur pa punë dhe me borxhe të mëdha zgjodhën të “avullonin” në lagjet e varfra të Tokios apo Osakës, duke pranuar të mbeten të padukshëm për pjesën tjetër të botës, thjesht për të mbijetuar./Korrespodenti

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME