Gjuetarë nga Evropa, të cilët nuk kishin më dëshirë të qëllonin vetëm mbi kafshë, paguanin mes 80 mijë dhe 100 mijë eurove të sotme për vrasjen e një njeriu, shkruajnë mediet gjermanishtfolëse, duke sjellë detaje për të ashtuquajturit “turistë-snajperë” në Sarajevë, raporton Deutsche Welle.
“Çfarë ka mbledhur Ezio Gavazzeni përmes dëshmive dhe materialeve të tjera të ngrin gjakun: gjatë viteve 1993 dhe 1994, më shumë se njëqind gjuetarë të huaj thuhet se paguanin nga 80 mijë deri në 100 mijë eurove për vrasjen e një njeriu”, shkruan Dominik Straub për gazetën gjermane Tagesspiegel.
Sipas kërkimeve të shkrimtarit dhe gazetarit italian Gavazzeni, këtë mundësi ua kishte ofruar thuhet shërbimi serb i sigurisë.
Ai gjatë rrethimit të Sarajevës në kodrat përreth kryeqytetit boshnjak kishte organizuar ‘safari njerëzish’. Një detaj veçanërisht i tmerrshëm: nëse viktima ishte fëmijë, çmimi për ‘asgjësim’ ishte edhe më i lartë”, transmeton Tagesspiegel.
“Sipas Gavazzenit, në mesin e pjesëmarrësve të këtyre safarive kishte të paktën pesë shtetas italianë. Prokurori Gobbis deri tani nuk ka përmendur emra të të dyshuarve. Gjatë rrethimit të Sarajevës nga regjimi kriminal i Slobodan Milosheviqit, mes viteve 1992 dhe 1996 u vranë mbi 11 mijë civilë; rreth 1000 prej tyre ranë si viktima të snajperistëve në ‘Sniper Alley’, bulevardi i hapur ku njerëzit ishin vazhdimisht nën kërcënim”, shkruan Tagesspiegel.
Autori vëren se dëshmitari kryesor i Gavazzenit është ish-agjenti i shërbimit sekret boshnjak, Edin Subashiq. Ai pretendon se në vitin 1993 e kishte njoftuar shërbimin italian ushtarak të inteligjencës SISMI për “safaritë” dhe përfshirjen e shtetasve italianë.
Në dokumentacion gjendet edhe letra e Subashiqit drejtuar Gavazzenit, ku përshkruhet profili psikologjik i turistëve-snajperë “Bëhej fjalë për gjuetarë të pasionuar që kishin provuar të gjitha llojet e safarive të ligjshme dhe kërkonin adrenalinë shtesë përmes një trofeu njerëzor. Janë persona që duan armët dhe, njëkohësisht, janë psikopatë (…). Janë të gjithë të pasur dhe me shumë gjasë të fuqishëm (…). Kanë para dhe ndikim politik për t’u mbrojtur nga hetimet e mundshme”.
Gavazzeni thotë se njeh disa nga emrat e snajperistëve të fundjavës; një prej tyre thuhet të jetë pronar i një klinike private. Shumica, shton ai, mbajnë pikëpamje të djathta dhe ekstremisht të djathta.
Sa të besueshme janë deklaratat dhe dokumentet e dorëzuara nga Gavazzeni në prokurori, do të tregojë hetimi. Sipas Subashiqit, dokumentet përkatëse që ekzistojnë në Bosnjë e Hercegovinë janë të klasifikuara si “sekrete” dhe të paarritshme, përfundon Tagesspiegel.
Në një tekst të të njëjtit autor për gazetën austriake Standard, botuar një ditë më herët, thuhet se ish-agjenti Edin Subashiq pretendon që në vitin 1993 personalisht kishte njoftuar shërbimin ushtarak italian SISMI për “safaritë ndaj njerëzve” dhe pjesëmarrjen e italianëve. Dy deri në tre muaj më pas, në fillim të vitit 1994, SISMI thuhet se ishte përgjigjur “Zbuluam se safaritë niseshin nga Trieste. I kemi ndalur dhe tani nuk ekzistojnë më”, transmeton Telegrafi.
Nuk dihet ende nëse ky dokument i inteligjencës italiane ka ekzistuar vërtet ose nëse është dërguar ndonjëherë tek shërbimi boshnjak. Ajo që është e sigurt është se historia e turizmit të snajperëve në kodrat përreth Sarajevës nuk është e re. Gazeta milanezë, Corriere della Sera kishte shkruar për këtë fenomen që në vitin 1995 – pra gjatë rrethimit – me titullin “Pushime në Bosnjë, qitja e përfshirë”, -shkruan Standard.
Reagime të ashpra nga serbët e Bosnjës
Gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) shkruan se Gavazzeni në një intervistë për Repubblica ka thënë se është marrë me këtë temë prej kohësh, dhe nxitjen e ka marrë nga dokumentari “Sarajevo Safari” i regjisorit slloven Miran Zupaniq nga viti 2022.
Filmi i Zupaniqit shkaktoi reagime të ashpra nga serbët e Bosnjës – veteranë lufte, të cilët pretendonin se dokumentari bazohej në gënjeshtra.
bazohej në gënjeshtra.
Gavazzeni, megjithatë, pretendon se ka “shumë prova” dhe se gjithçka ka ndodhur vërtet. Ka pasur shumë që kanë qëlluar mbi njerëz – “gjermanë, francezë, anglezë, njerëz nga Perëndimi”, tha ai për gazetën britanike, The Guardian. Ai shtoi se ka “trazuar gjysmën e Evropës” dhe ka analizuar burime boshnjake e italiane, përfshirë ato nga qarqet e inteligjencës. Nga pala serbe, thotë ai, nuk ka marrë asgjë “serbët gjithçka e konsiderojnë një legjendë urbane, një shpikje”, shton NZZ.
Gazeta zvicerane shkruan më tej se që në vitin 2007 ishin paraqitur pretendime për ekzistencën e këtyre “safarive”. Gjatë gjyqeve për krime lufte të ish-Jugosllavisë në Hagë, një zjarrfikës amerikan, i cili kishte qëndruar si vullnetar në Sarajevë dhe kishte dëshmuar para Tribunalit, kishte folur për snajperistë të huaj.
“Mendohet se pikërisht ai përdori i pari shprehjen ‘turistë-snajperë’ dhe foli për metodat monstruoze që u atribuoheshin atyre”. Mediat italiane ditëve të fundit kanë publikuar deklaratat e tij nga gjyqi. Sipas procesverbalit të seancës, nga i cili citon gazeta Avvenire, disa prej snajperistëve zgjidhnin qëllimisht viktimat më të pambrojtura: fëmijët.
Deklaratat e këtij amerikani mund të jenë kyçe për vazhdimin e hetimit në Milano. Sipas një artikulli të Avvenire, prokuroria tashmë ka kërkuar dorëzimin e dokumenteve nga Tribunali i Hagës.
Një rol të rëndësishëm mund të ketë edhe kallëzimi që ish-kryetarja e Sarajevës, Benjamina Kariq, bëri në vitin 2022 në Bosnjë e Hercegovinë. Edhe ajo u bazua te filmi i Zupaniqit.
Kariq ndërkohë e ka përcjellë dokumentacionin e saj në prokurorinë e Milanos dhe ka thënë se është e gatshme të ndihmojë hetimin. “Lërini prokurorët e Milanos dhe Sarajevës të bëjnë punën e tyre”, tha ajo për Repubblica, transmeton Neue Zürcher Zeitung, shkruan Deutsche Welle.
