Organizata Botërore e Shëndetësisë ka raportuar se më shumë se 1.2 milion njerëz vdiqën nga tuberkulozi në vitin 2024, duke e bërë atë sëmundjen infektive më vdekjeprurëse në botë për një tjetër vit.
Vdekjet nga tuberkulozi ranë me 3% krahasuar me vitin 2023 dhe numri i rasteve gjithashtu ra, me rreth 2% në nivel global. Rreth 10.7 milionë njerëz u infektuan me tuberkuloz në vitin 2024, 5.8 milionë burra, 3.7 milionë gra dhe 1.2 milionë fëmijë.
“Për herë të parë që nga pandemia Covid-19, e cila ndërpreu shërbimet shëndetësore, rastet dhe vdekjet kanë rënë”, tha Teresa Kasaeva, drejtuese e departamentit të HIV-it, tuberkulozit, hepatitit dhe sëmundjeve seksualisht të transmetueshme.
Vitin e kaluar, 5.9 miliardë dollarë ishin në dispozicion për parandalim, diagnostikim dhe trajtim. Kjo shumë është një pjesë shumë e vogël e asaj që nevojitet (22 miliardë dollarë) për të përmbushur nevojat deri në vitin 2027.
Në vitin 2024, dy të tretat e rasteve ishin të kufizuara në tetë vende: India (25%), Indonezia (10%), Filipinet (6.8%), Kina (6.5%), Pakistani (6.3%), Nigeria (4.8%), Republika Demokratike e Kongos (3.9%) dhe Bangladeshi (3.6%).
Pesë faktorët kryesorë të rrezikut janë kequshqyerja, infeksioni HIV, diabeti, pirja e duhanit dhe problemet shëndetësore për shkak të konsumit të alkoolit. Tuberkulozi është një sëmundje e shërueshme dhe e parandalueshme. Qasja e shpejtë në trajtim ka shpëtuar 83 milionë jetë që nga viti 2000.
