Një studim i ri ka treguar se personat që kanë vështirësi me kthimin gjatë ecjes kanë më shumë gjasa të zhvillojnë sëmundjen e Parkinsonit
Një test i thjeshtë i lëvizjes, që ndjek ndryshimet në shpejtësinë e kthimit gjatë ecjes, mund të zbulojë Parkinsonin gati nëntë vjet përpara diagnozës zyrtare.
Sëmundja e Parkinsonit është një çrregullim neurodegjenerativ që dëmton gradualisht pjesë të trurit, duke filluar vite përpara se të shfaqen simptomat. Pacientët zakonisht vuajnë nga dridhjet progresive dhe vështirësitë në lëvizje, të cilat me kalimin e kohës mund t’i privojnë nga pavarësia.
Edhe pse shkencëtarët e dinë se zbulimi i hershëm i pacientëve në fazën prodromale (para shfaqjes së simptomave të qarta) është thelbësor, deri më sot ka qenë sfiduese krijimi i një testi që mund të identifikojë personat vite përpara diagnozës.
Kthimi gjatë ecjes – tregues kyç
Në një zbulim të ri, neurologët gjermanë kanë arritur në përfundimin se vështirësitë me kthimin gjatë ecjes mund të ndihmojnë në zbulimin e sëmundjes së Parkinsonit gati nëntë vjet përpara diagnozës.
Në artikullin e publikuar në revistën “Annals of Neurology”, ata shkruajnë: “Kthimi është pjesë komplekse e ecjes. Ai kërkon koordinim të vazhdueshëm dhe përshtatje të drejtimit gjatë lëvizjes. Vështirësitë në kthim janë të zakonshme dhe jashtëzakonisht të rëndësishme në jetën e përditshme të pacientëve me Parkinson. Prandaj, është logjike të supozojmë se deficitet në kthim mund të zbulohen herët, duke theksuar nevojën për studimin e potencialit parashikues të matjeve të kthimit në këtë fazë.”
Si u zhvillua studimi
Në këtë studim, studiuesit analizuan modelet e lëvizjes së 924 pjesëmarrësve mbi 50 vjeç, pa dëmtime të dëgjimit apo shikimit, pjesë e studimit TREND (Tübingen Evaluation of Risk Factors for Early Detection of Neurodegeneration).
Pjesëmarrësit e kryen testin pesë herë gjatë dhjetë viteve. Testi konsistonte në ecjen përgjatë një korridori 20 metra për një minutë me ritmin e tyre të zakonshëm, ndërsa një pajisje matëse e vendosur në pjesën e poshtme të shpinës regjistronte të dhënat, transmeton Telegrafi.
Gati nëntë vjet përpara diagnozës
Rezultatet treguan se ngadalësimi i kthimit në fillim të studimit ishte i lidhur me një rrezik më të lartë për zhvillimin e Parkinsonit, me dallime të dukshme nga grupi kontroll gati nëntë vjet përpara diagnozës. Në fund të studimit, 23 pjesëmarrës kishin marrë diagnozën e Parkinsonit, rreth pesë vjet pas testit fillestar.
Duke përdorur metoda të mësimit makinerik që morën parasysh moshën, gjininë dhe shpejtësinë maksimale të kthimit, studiuesit arritën të identifikojnë me sukses rreth 60% të pacientëve në fazat e hershme të sëmundjes. Ata vunë re se sa më shumë të plakeshin pjesëmarrësit, aq më ngadalë ktheheshin, dhe se ata që më vonë zhvilluan Parkinson nisën të ngadalësoheshin dhe të ktheheshin me kënd më të gjerë deri në 8.8 vjet përpara diagnozës.
Ekspertët sugjerojnë se kjo mund të tregojë dobësim të shpejtësisë së përgjithshme të lëvizjes, të ekuilibrit ose të stabilitetit postural, të cilët shpesh preken nga Parkinsoni.
Ata shtuan: “Dobësimi i stabilitetit postural mund të bëjë që pacientët, pa vetëdije, të ngadalësojnë kthesat dhe të ndjekin trajektore më të sigurta e më të gjera. Kjo tregon se pacientët që janë tashmë në fazën para-diagnostike mund të zhvillojnë strategji për kthime më të sigurta dhe më të qëndrueshme.”
Rreziku më i lartë te meshkujt
Është vërejtur se meshkujt kanë rrezik më të lartë për zhvillimin e sëmundjes. Çdo rritje e moshës me një vit lidhej me rritje prej 15% të rrezikut për Parkinson. Sipas studimit, meshkujt kishin katër herë më shumë gjasa të zhvillonin sëmundjen sesa gratë, raporton Daily Mail.
Rëndësia e zbulimit të hershëm
Studiuesit përfunduan: “Rezultatet tona sugjerojnë se matjet e kthimit mund të ndihmojnë në parashikimin e diagnozës klinike të Parkinsonit dhe të përmirësojnë panelin e markuesve para-diagnostikues për identifikimin e individëve me rrezik të lartë. Përdorimi i një njësie të vetme matëse të inercisë dhe i algoritmeve të validuara është një qasje praktike për skriningun në shkallë të gjerë të Parkinsonit.”
Megjithëse kjo është studimi i parë longitudinal prospektiv që vlerëson matjet e kthimit te pacientët me Parkinson, studiuesit pranuan disa kufizime, si përfshirja e vetëm shtatë matjeve të kthimit.
“Studimet e ardhshme mund të eksplorojnë më shumë karakteristika të kthimit, në kombinim me tiparet e ecjes dhe të ekuilibrit”, shtuan ata. Një mostër më e gjerë do të mundësonte rezultate më të përgjithshme dhe të besueshme.
Gjendja aktuale e diagnostikimit
Aktualisht nuk ekziston test përfundimtar për këtë gjendje shkatërruese. Diagnoza vendoset zakonisht bazuar në shfaqjen e simptomave në fazat e vona, si dridhjet, pasi të jenë përjashtuar sëmundje të tjera të mundshme.
Organizatat bamirëse për Parkinsonin vlerësojnë se më shumë se një e katërta e pacientëve me këtë sëmundje fillimisht diagnostikohen gabim.
Shenjat e hershme të sëmundjes së Parkinsonit
Ndër shenjat e para përfshihen:
dridhje (tremor)
ngurtësi muskulare
ngadalësim i lëvizjeve
humbje e nuhatjes.
Problemet me ekuilibrin dhe koordinimin, si dhe krampet muskulare, janë gjithashtu të zakonshme. Përveç kësaj, shumë pacientë mund të vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor, si depresioni dhe ankthi.
Sëmundja e Parkinsonit shkaktohet nga vdekja e qelizave nervore në tru që prodhojnë dopaminën, kimikatin që kontrollon lëvizjet, por shkencëtarët ende po përpiqen të zbulojnë pse ndodh ky proces.
