Drama e Mark Milanit: Me gjak shqiptar, por armik në luftë! Si e shpjegoi komandanti i Nokshiqit vëllazërinë dhe çfarë zbuloi në librin e tij për ‘Jetën dhe Zakonet e Shqiptarëve’!

Nga Atdhe Gjoci

Historia e Vojvodës së Kuçit, Mark Milani (Mark Miljanov Popoviq), është një dëshmi e thellë kontradiktash dhe lidhjesh të lashta, ku beteja në fushën e luftës përplaset me mirënjohjen e shprehur në letërsi. Vizita e tij në Ulqin në vitin 1897 për mjekim, ku ai qëndroi si mysafir nderi në lagjen Mahallë të Re dhe befasoi me njohurinë e rrjedhshme të shqipes, është vetëm një anë e medaljes. Siç dëshmohet nga mësuesi popullor Mashan Paviqeviq, Vojvoda e cilësonte shqipen si gjuhë të trashëguar të fisit të tij, duke deklaruar se “Në fisin tim flitet nashke dhe shqip. Të dyja janë të mijat,” duke theksuar se mes fisit të tij dhe shqiptarëve veriorë nuk kishte kufij gjaku.

Mirëpo, ky theksim i vëllazërisë vjen nga një burrë që ishte njëkohësisht komandanti i forcave malazeze, i cili në mënyrë aktive udhëhoqi luftëra kundër shqiptarëve për zgjerimin territorial të Malit të Zi, duke pësuar edhe një nga disfatat më të rënda, atë të Betejës së Nokshiqit në fund të vitit 1879, e cila synonte aneksimin e Plavës dhe Gucisë. Pikërisht ky konflikt ushtarak, i drejtuar personalisht nga Mark Milani, është elementi më dramatik që e vë atë në anën e kundërt të shqiptarëve, duke e shfaqur si figurë agresive në epikën popullore, siç e trajton edhe At Gjergj Fishta në “Lahuta e Malcis”.

Në atë betejë kyçe, forcat malazeze prej rreth 4,000 deri në 7,000 ushtarë, të komanduara prej tij, u ndeshën me guximin e luftëtarëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të udhëhequr nga Ali Pashë Gucia dhe Jakup Ferri. Sulmi i Mark Milanit në Nokshiq, i nisur më 4 dhjetor 1879, pati si rezultat një disfatë të rëndë për ushtrinë malazeze, e cila në disa burime historike raportohet se humbi deri në 2,000 trupa, një humbje që dëshmoi vendosmërinë e popullatës për të mbrojtur trojet pas vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit, dhe pikërisht në këtë luftë ra dëshmor edhe prijësi i shquar shqiptar, Jakup Ferri.

Kontrasti i Mark Milanit thellohet kur thekson origjinën e tij përmes linjës së Nreka (Ndrekalloviq), të cilën e konsideronte si “fisi më i vjetër i Kuçit Ilio-Dardan”, dhe lidhjet e drejtpërdrejta gjaku me nipërit e tij, si Tomë Hasuri dhe Smajl Hasuri-Dedivani nga Mali i Trieshit, të cilët mbanin kapele shqiptare ndërsa Marku malazeze, duke simbolizuar ndarjen e dhunshme politike dhe ushtarake të kohës, përkundër lidhjeve të thella të gjakut.

Përkundër këtij shërbimi aktiv ushtarak në interes të zgjerimit sllav, vetëm pas degradimit të tij nga Knjaz Nikolla, Marku iu përvesh shkrimit, duke u kurorëzuar me veprën “Jeta dhe Zakonet e Shqiptarëve”, ku si shkrimtar shfaqet shumë më tolerant se në rolin e gjeneralit. Pjesë e këtyre shkrimeve, të cilat ruhen në përkthimin e Dr. Lazër Radit, përmbledhin thelbin e kodit vëllazëror, duke theksuar se pavarësisht ndryshimeve të feve, gjaku dhe nevoja kishin triumfuar mbi ndarjet, sepse “gjaku ishte një forcë misterioze”.

Milani shkruan me admirim se Shqiptarët, të mësuar nga “shkolla e nevojës”, kishin kuptuar se “Kur të kërcënon një rrezik, vdekja është e sigurt nëse nuk e ke ndihmën e vëllait!”, duke përshkruar se shqiptari mysliman i drejtohej pushtuesit aziatik me armën e fesë për të mbrojtur vëllanë e tij të krishterë, me fjalët: “Unë jam mysliman, e këtë që ti e sheh këtu unë e kam vëlla! Guxon të ma prekësh se pasha dinin, bashkë me gjakun e tim vëllai, rrëkajë do derdhet edhe gjaku yt, edhe gjaku im…!”, duke dëshmuar se ky popull, me gjuhën e tij të lashtë dhe qëndrueshmërinë, ruante diçka më të fortë dhe më të qëndrueshme se popujt e tjerë.

Kështu, Mark Milani mbetet një figurë komplekse, një malazez i asimiluar me origjinë të mundshme shqiptare, i cili luftoi ashpër për shtetin e tij kundër popullit me të cilin ndante gjakun dhe zakonet, por që në fund të jetës gjeti paqe vetëm duke vlerësuar dhe fiksuar në letër pikërisht vlerat që kishin mposhtur armatën e tij./Korrespodenti

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME