Presidenti amerikan Donald Trump tha se po dërgon trupa amerikane në Portland për të “mbrojtur” qytetin dhe objektet e Imigracionit dhe Doganave (ICE) nga Antifa dhe “terroristë të tjerë vendas”.
“Me kërkesë të Sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, po i kërkoj Sekretarit të Luftës, Pete Hegseth, që të sigurojë të gjitha trupat e nevojshme për të mbrojtur Portlandin e shkatërruar nga lufta dhe çdo objekt të ICE-së tonë nën rrethim nga sulmi i Antifas dhe terroristëve të tjerë vendas”, tha Trump, shkruan the Hill.
“Unë gjithashtu po autorizoj Forcën e Plotë, nëse është e nevojshme”, shtoi ai.
“Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”
Më parë këtë javë, Trump nënshkroi një urdhër që e përcakton zyrtarisht Antifa si një organizatë terroriste vendase, duke i dhënë qeverisë amerikane një mandat të gjerë për të hetuar operacionet e lëvizjes antifashiste ose çdo rast ku një anëtar i Antifa “ka ofruar mbështetje materiale”.
“Individët e lidhur me Antifa dhe që veprojnë në emër të saj koordinohen më tej me organizata dhe entitete të tjera me qëllim përhapjen, nxitjen dhe avancimin e dhunës politike dhe shtypjen e fjalës së ligjshme politike”, tha Shtëpia e Bardhë në urdhrin që Trump nënshkroi të hënën.
Ndryshe, ky njoftim shënon zgjerimin e mëtejshëm të vendosjes së trupave nga presidenti në qytetet amerikane në të gjithë vendin.
Në fillim të gushtit, Trump vendosi anëtarë të Gardës Kombëtare në Uashington si pjesë e përpjekjeve të administratës për të luftuar krimin.