Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kanë publikuar fotografi e video të njërës prej urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke uruar qytetarët për të.
Përveç disa automjeteve mbi urë që shihen sipas pamjeve të publikuar nga Sveçla e Durmishi, aty pranë është parë edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.
Veton Elshani, zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në veri të vendit ka thënë se prania e policisë aty ka qenë ngritje e vigjilencës, pasi ndërtimi i urës është një punë e madhe, duke shtuar se këto janë procedura normale policore.
“Deri më 1 shtator, kur është thënë se do të bëhet promovimi, hapja e urës, ne do të jemi aty dhe mandej e shohim se si vazhdohet tutje”, ka deklaruar Elshani.
“Janë vetëm masa parandaluese, nuk ka diçka tjetër. Por në veri të vendit jemi mësuar me këto gjëra që për dikë duken të jashtëzakonshme, për ne janë të zakonshme – të na gjuajnë ndonjë bombë apo eksploziv. Prandaj marrim masa parandaluese vetëm që të mos na zënë në befasi”, është shprehur ai në RTV Dukagjini.