Një aksident tragjik rrugor u shënua mëngjesin e së mërkurës javën e kaluar në rrethrrotullimin që lidh Bypass-in e Fierit me Levanin, ku humbi jetën 51-vjeçari Luftar Braçja, emigrant në Itali, i cili ishte kthyer në Shqipëri për pushime.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00, kur automjeti tip “Skoda”, që drejtohej nga Braçja, u përplas nga pas nga një “Volkswagen” me targa shqiptare që lëvizte me shpejtësi të lartë.
Sipas dëshmive nga vendngjarja, goditja ishte tepër e fortë, dhe në asfalt nuk është konstatuar asnjë shenjë frenimi. Të dy automjetet përfunduan jashtë rrugës, ndërsa pasagjerët e plagosur, mes tyre bashkëshortja e viktimës, mbetën të shtrirë në rrugë duke pritur ndihmën e ambulancës. Në total, nga përplasja u plagosën katër persona të tjerë, dy prej të cilëve u trajtuan dhe u larguan nga spitali.
Policia ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit “Volkswagen”, shtetasin Ilir Pujo, 56 vjeç, banues në Tiranë. Fillimisht, informacionet ishin të kufizuara, por burime të besueshme konfirmojnë se Pujo është një figurë e rëndësishme e ushtrisë shqiptare dhe aktualisht një oficer i lartë në NATO.
Ilir Pujo ka mbajtur më parë detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të AISM (Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes) me gradën kolonel. Që nga shkurti i vitit 2022, ai është transferuar me pozicion pune në SHAPE, selia qendrore e Komandës Supreme të Forcave Aleate të NATO-s në Bruksel, ku aktualisht mban gradën gjeneral.
Burime jo zyrtare dyshojnë se shkak i përplasjes mund të ketë qenë një gjendje e fikëti e papritur e Pujos, ose një problem teknik me sistemin e frenimit të mjetit që ai drejtonte. Megjithatë, këto mbeten në kuadër të hetimeve dhe nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Mësohet se informacioni për pozicionin ushtarak të Ilir Pujos nuk është bërë publik nga autoritetet, ndërsa asnjë media kryesore nuk ka raportuar për faktin se ai është një oficer i lartë në strukturat e NATO-s. Kjo ka ngritur pikëpyetje mbi transparencën e institucioneve dhe nëse rasti po trajtohet me ndjeshmëri të veçantë për shkak të statusit të personit të përfshirë.
Për më tepër, është përfolur se vetë ministri Vëngu ka dhënë urdhër për të mbajtur të fshehur identitetin e tij, me qëllim që të mos shkaktohet skandal politik dhe institucional.
Fakti që një ushtarak i lartë, me poste kyçe në sigurinë kombëtare, përfshihet në një aksident që merr jetë njerëzish dhe më pas largohet pa pasoja, ndërkohë që e gjithë makineria shtetërore dhe mediatike hesht, është tregues i qartë i një sistemi të kalbur ku drejtësia vlen vetëm për të dobëtit.
Ndërkohë, familja e viktimës, Luftar Braçja, është në zi për humbjen e parakohshme të njeriut të tyre të dashur, i cili u përball me fatin tragjik gjatë një vizite të shkurtër në vendlindje.