Shkruar nga Diplomatico
Aleancat e Errëta të Ballkanit: Pse Serbia dhe Turqia Bashkëpunojnë Kundër Shqipërisë dhe Perëndimit.
Historia, politika dhe ndikimet e fuqive të mëdha që kanë krijuar një lidhje të pandashme mes Turqisë dhe Serbisë, duke e marginalizuar pozicionin shqiptar në rajon.
Në arenën ndërkombëtare, fuqitë nuk vlerësohen vetëm nga zhvillimi ekonomik apo mirëqenia, por nga mentaliteti, konceptet historike dhe strategjitë e shoqërive të tyre. Në këtë kontekst, Gjermania ka qenë gjithmonë më e zhvilluar se Britania, por Londra ka mbajtur influencën më të madhe globale për shkak të konceptit imperial të shtetit dhe shoqërisë së saj. Njësoj ndodh dhe me Shqipërinë në Ballkan, ku ndikimet historike dhe aleancat komplekse luajnë një rol vendimtar.
Një nga aleancat më të forta dhe më të vazhdueshme në rajon është ajo mes Turqisë dhe Serbisë, e cila ka rrënjë historike që datojnë që nga Beteja e Fushë-Kosovës në vitin 1389 dhe vazhdon të konsolidohet përmes marrëdhënieve politike, kulturore dhe ushtarake deri në ditët tona. Kjo aleancë u forcuar edhe përmes martesës historike të Mara Brankoviçit me sulltan Muratin II, që e bëri atë një nga figurat kryesore të Perandorisë Osmane. Ky bashkëpunim ka vijuar në mënyrë të pandërprerë nga periudha osmane, te Turqia moderne e Ataturkut dhe deri te qeverisja e Rexhep Tajip Erdoganit.
Studimet e institucioneve britanike, përfshirë ato të njohurëve James Pettifer dhe Miranda Vickers, tregojnë se për Turqinë, edhe pse shqiptaret janë faktor i rëndësishëm në Ballkan, aleatët më të rëndësishëm janë serbët, me të cilët lidhjet historike dhe politike janë shumë më të forta. Kjo aleancë përbën një strategji për të frenuar fuqizimin perëndimor në rajon, i cili shikohet nga Beogradi dhe Ankaraja si kërcënimi kryesor për influencën e tyre.
Në kundërshtim me këtë, Shqipëria dhe shqiptarët konsiderohen aleatë natyralë të Perëndimit, dhe kjo ka shkaktuar një distancë dhe tension mes tyre dhe aleancës serbo-turke. Ndërkohë, marrëdhëniet mes Serbisë dhe Turqisë janë forcuar edhe pse ato mbajnë aleanca të kundërta në rajon, siç është marrëdhënia e Serbisë me Greqinë dhe ajo e Turqisë me shqiptarët.
Ky realitet politik dhe historik shpjegon pse Serbia dhe Turqia bashkëpunojnë ngushtë në kurriz të interesave shqiptare, duke u përpjekur të minimizojnë ndikimin perëndimor dhe të ruajnë ndikimin e tyre rajonal. Kjo sfidë komplekse përbën një nga sfidat më të mëdha politike dhe gjeopolitike të Ballkanit Perëndimor sot./Pamfleti