Është vetëdorëzuar në stacionin Policor në Prishtinë, Edon Bujupi, i cili ishte në kërkim që nga e mërkura për vrasjen me thikë të vjehrrit të tij, 53-vjeç, Ali Kosova.
Ai pritet të intervistohet nga hetuesit policor ndërsa më pas prokurori pritet të vendos për masën ndaj tij.
Vrasja kishte ndodhur të mërkurën mbrëma në rrugën “Ali Vitia” në Prishtinë.
Në raportin e policisë ishte bërë e ditur se viktima nuk ka mundur t’iu përballojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në QKUK.
“Dyshohet se pas një mosmarrëveshje, i dyshuari mashkull kosovar ka sulmuar-therur me thikë babanë e bashkëshortes së tij (vjehrrin), viktimën mashkull kosovar i cili duke mos u përballuar plagëve të marra ka ndërruar jetë në QKUK, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku”, thuhej në raport.