Në pamundësi për t’i takuar nga afër, Jakup Krasniqi përshëndet nga distanca familjarët që e shikonin nga ballkoni

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në ditën e fundit të qëndrimit në Kosovë, është përshëndetur nga distanca me disa prej familjarëve të tij, të cilët po e përcillnin nga ballkoni i shtëpisë së tyre.

Krasniqi ka qëndruar edhe mëngjesin e sotëm në shtëpinë e tij në lagjen Velania të Prishtinës, ku gjatë vizitës katërditore ka pasur mundësi të takohet vetëm me familjarët e ngushtë, në bazë të kufizimeve të vendosura nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Vëllai i tij, Daut Krasniqi, nuk ka arritur ta takojë nga afër gjatë këtyre ditëve. Ai është parë disa herë duke qëndruar në rrugën afër shtëpisë së vëllait, si dhe në ballkonin e shtëpisë së tij, në përpjekje për ta parë Jakupin, qoftë edhe nga larg.

Pamundësia për t’u takuar nga afër është përcjellë edhe sot me një moment emocional. Nga oborri i shtëpisë, Jakup Krasniqi i ka përshëndetur me dorë familjarët që po e përcillnin nga ballkoni, pa pasur mundësi t’i afrohet dhe t’i përqafojë.

Kjo vizitë katërditore, e lejuar nga Dhomat e Specializuara për arsye humanitare, për shkak të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij, përfundon sot. Pas largimit nga Kosova, Krasniqi do të kthehet në Hagë, ku mbahet në kuadër të procesit gjyqësor.

Video nga Inteligjenca n'3D - mos e humbisni:

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME