Dyshimet se zyrtarët policorë nuk po i gjobisin kundërvajtësit për shkeljet e kryera në trafik kanë shtyrë Inspektoratin e Policisë së Kosovës (IPK) të ndërmarrë një inspektim të jashtëzakonshëm në fushën e “Përdorimit të teknologjisë për matjen e shpejtësisë së lëvizjes së mjeteve në trafik”.
Ky inspektim ad hoc kishte për qëllim të analizojë mënyrën e përdorimit të pajisjeve digjitale për matjen e shpejtësisë, si dhe të verifikojë nëse njësitë e trafikut mund të jenë të ekspozuara ndaj abuzimeve gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. IPK njoftoi se inspektimi ka shërbyer si një mundësi për të vlerësuar përdorimin efektiv të këtyre teknologjive dhe për të hetuar mospërputhjet e mundshme ndërmjet të dhënave të radarëve dhe gjobave të shqiptuara.
Në fokus të raportit kanë qenë katër objektiva kryesorë:
Identifikimi i teknologjisë së përdorur për matjen e shpejtësisë në rrugë,
Vlerësimi i përdorimit racional dhe efektiv të këtyre pajisjeve në situata me rrezik në trafik,
Vlerësimi i përputhjes ndërmjet numrit të matjeve të shpejtësisë dhe numrit të kundërvajtjeve të gjobitura,
Zbulimi i mundësive për abuzim gjatë shqiptimit të gjobave.
Gjetjet e inspektimit kanë nxjerrë në pah disa dobësi të theksuara në lidhje me pasqyrimin e të dhënave nga pajisjet e matjes në gjobat e shqiptuara, duke ngritur dyshime për manipulim apo mosrespektim të procedurave ligjore. Konkretisht, janë evidentuar katër lloje mospërputhjesh në 84 mostra të shqyrtuara:
Në 55 raste, shpejtësia e shënuar në gjobë ishte më e ulët se ajo e regjistruar nga radari;
Në 23 raste, kufizimi i shpejtësisë i shfaqur në radar nuk përputhej me atë të përmendur në gjobë;
Në 3 raste, lloji i shkeljes i dokumentuar në gjobë nuk korrespondonte me shkeljen e regjistruar nga pajisja;
Në 3 raste të tjera, gjobat janë lëshuar duke u thirrur në nene të papërshtatshme të ligjit.
Për të adresuar këto probleme, IPK ka propozuar shtatë rekomandime kryesore, përfshirë:
Hartimin e një udhëzuesi për përdorimin e pajisjeve të matjes së shpejtësisë,
Ofrimin e trajnimeve shtesë për zyrtarët policorë,
Forcimin e kontrolleve për saktësinë e të dhënave të regjistruara dhe ato të futura në pajisje,
Parandalimin e praktikave të dëmshme gjatë shqiptimit të gjobave,
Përdorimin më të efektshëm të automjeteve me pajisje inteligjente,
Monitorimin dhe administrimin e procesit të shkarkimit dhe ruajtjes së materialeve të regjistruara,
Zbatimin e praktikës për printimin e kundërvajtjeve në vendin e ngjarjes.
Raporti nënvizon nevojën urgjente për ndërhyrje strukturore dhe rritje të transparencës në përdorimin e teknologjisë në kontrollin e trafikut rrugor.