Anëtari i Kuvendit Komunal të Vushtrrisë nga Lëvizja Vetëvendosje, Ymer Haradinaj, është renditur i pari në vlerësimin e deritanishëm të aktivitetit të asamblistëve, sipas të dhënave të monitorimit të realizuar në kuadër të projektit DEMOS/Helvetas.
Me 45 pikë të grumbulluara gjatë korrikut dhe shtatorit, ai kryeson listën prej 31 anëtarësh të Kuvendit Komunal të Vushtrrisë të përfshirë në dokument.
Rezultati i tij është veçanërisht i dallueshëm në shtator, kur ka siguruar 27 pikë, krahasuar me 18 në korrik, duke shënuar rritje prej 50 për qind. Gjatë të njëjtit muaj, asamblistja Fatmire Cecelia, e dyta në renditjen e përgjithshme, ka marrë 11 pikë.
Cecelia ka grumbulluar gjithsej 29 pikë, ndërsa pas saj renditen Drita Dibrani me 23, Nasuf Aliu me 20 dhe Refik Maloku me 16 pikë. Në vendin e gjashtë renditet Gresa Muli me 14 pikë. Të gjashtë asamblistët që kryesojnë renditjen përfaqësojnë Lëvizjen Vetëvendosje.
Monitorimi po zhvillohet nga një konsorcium i përbërë nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), Instituti GAP, ATRC dhe CBM. Ky projekt synon të vlerësojë angazhimin e përfaqësuesve të zgjedhur në kuvendet komunale të Kosovës dhe të nxisë pjesëmarrjen e tyre në proceset vendimmarrëse.
Vlerësimi mbështetet në një metodologji të përcaktuar dhe në dokumentacionin zyrtar të komunave. Organizatat monitoruese kanë bërë të ditur se aktivitetet për të cilat procesverbalet nuk janë miratuar ose publikuar ende do të përfshihen në periudhat pasuese, për të siguruar pasqyrim sa më të plotë të punës së asamblistëve.
Procesi do të vazhdojë deri në mars të vitit 2027, ndërsa në prill është planifikuar ndarja e çmimeve për asamblistin më aktiv, gruan më aktive dhe anëtarin më aktiv në mandatin e parë. Rezultatet do të publikohen në intervale tremujore, duke u dhënë mundësi përfaqësuesve komunalë të ndjekin ecurinë e vlerësimit.
Kjo nismë është pjesë e projektit DEMOS/Helvetas, i financuar nga Bashkimi Evropian, Qeveria e Zvicrës dhe Suedia, i cili mbështet përmirësimin e qeverisjes lokale dhe forcimin e përgjegjshmërisë së institucioneve komunale ndaj qytetarëve.
Për Haradinajn, ky rezultat vjen në një mandat të ri, pas një përvoje të gjatë në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë. Krahas angazhimit politik, ai ka punuar si mësimdhënës për 30 vjet, deri në dhjetor të vitit 2025. Përpara zgjedhjeve lokale të vitit 2025, ai kishte shërbyer për dy mandate si asamblist.
Në zgjedhjet lokale të vitit 2025, Ymer Haradinaj rikandidoi sërish në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për një mandat të tretë në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë. Për punën dhe angazhimin e tij gjatë dy mandateve të mëparshme, deputetja Fjolla Ujkani kishte veçuar sinqeritetin dhe vendosmërinë e tij si asamblist, ndërsa kolegu i tij, profesori Kujtim Surdulli, e kishte përshkruar si “njeri të punës, jo të fjalëve”. /Korrespodenti


