Teksa NATO, aleanca ushtarake më e madhe në botë, po përgatitet për samitin e saj të radhës më 24 qershor në Hagë, pyetja që rikthehet në fokusin e diskutimeve është se “çfarë e bën një aleat të mirë në NATO”.
Revista prestigjoze The Economist ka bërë një analizë të detajuar se çfarë është një anëtar i besueshëm në aleancën e NATO-s.
“Çështja e ndarjes së barrës së sigurisë ka qenë një temë që “e ka lëkundur dhe tronditur” NATO-n që nga themelimi i saj në vitin 1949. Së fundmi, kjo çështje është bërë edhe më e mprehtë pas kritikave të përsëritura të Donald Trump ndaj vendeve evropiane, të cilat, sipas tij, nuk po paguajnë pjesën që u takon, ndërkohë që Amerika mban peshën kryesore të mbrojtjes së përbashkët.
Kritikat e presidentit amerikan kanë gjetur jehonë edhe brenda vetë kontinentit. Ministri i mbrojtjes së Belgjikës, për shembull, është zotuar të mbyllë një “periudhë turpi kombëtar”, duke pranuar se vendi i tij nuk ka qenë besnik ndaj rolit të tij si anëtar themelues i NATO-s. Edhe Islanda, që nuk ka ushtri të mirëfilltë, po shqyrton mënyra të reja për të qenë një aleat i mirë”, shkruhet në artikull.
Sipas analizës së The Economist, për të kuptuar se çfarë e bën një anëtar të besueshëm në NATO, duhen pasur parasysh tre elementë kyç të cilët revista i quan “tre C-të”: paratë, aftësitë dhe angazhimi. Kur bëhet fjalë për shpenzimet, situata është përmirësuar ndjeshëm: nga 32 anëtarët e aleancës, vetëm dhjetë nuk e përmbushin objektivin aktual të shpenzimeve për mbrojtje prej 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, krahasuar me 25 vende që ishin më parë.
Italia dhe Spanja, që tradicionalisht shpenzonin më pak, janë zotuar ta arrijnë këtë objektiv brenda këtij viti. Megjithatë, siç thekson The Economist, objektivi prej 2% është tashmë i tejkaluar nga realiteti gjeopolitik: në samitin e radhës, NATO pritet të vendosë një objektiv të ri më ambicioz – 3.5% të PBB-së, me 1.5% shtesë për infrastrukturën mbështetëse. Për më tepër, shifrat e thjeshta nuk japin gjithmonë një pasqyrë reale të gatishmërisë ushtarake, pasi shumë vende përfshijnë në buxhet edhe zëra që nuk lidhen drejtpërdrejt me mbrojtjen.
The Economist shkruan se një mënyrë më e saktë për të matur kontributin është të shihet jo vetëm sa shpenzohet, por për çfarë shpenzohet. NATO kërkon që të paktën 20% e buxhetit të mbrojtjes të shkojë për pajisje ushtarake – një prag që thuajse të gjithë anëtarët e kanë arritur. Por siç tregon rasti i Greqisë, që shpenzoi 36% të buxhetit të saj për pajisje vitin e kaluar, rëndësi ka edhe destinacioni i investimeve: në këtë rast, shumica e tyre ishin të orientuara ndaj rivalitetit me Turqinë, një tjetër anëtare e NATO-s, dhe jo ndaj kërcënimit të përbashkët nga Rusia.
Procesi i Planifikimit të Mbrojtjes i NATO-s ka për qëllim të sigurojë që pajisjet e blera të përmbushin nevojat operacionale të aleancës, por dy dekada përqendrim në luftën kundër terrorizmit e kanë dobësuar këtë mekanizëm. Megjithatë, agresioni rus në Ukrainë ka rikthyer fokusin strategjik. Siç shkruajnë dy zyrtarë të lartë të NATO-s, Angus Lapsley dhe Admirali Pierre Vandier, aleatëve do t’u kërkohet të përqendrohen më shumë në pengimin e Rusisë sesa në skenarë hipotetikë në rajone të ndryshme.
Në qershor, NATO pritet të miratojë “objektivat e rinj të aftësive” që do të përcaktojnë se çfarë pajisjesh duhet të ofrojë çdo vend. Plani pritet të synojë fushat ku SHBA tradicionalisht ka mbajtur peshën kryesore – si zbulimi, sulmet në thellësi dhe transporti strategjik – por ku tani mund të tërhiqet pjesërisht. Më shumë se tri të katërtat e vendeve anëtare kanë dhënë mbështetje për këtë qasje të re, përfshirë edhe ato vende që zakonisht janë më hezituese.
Gjithashtu, NATO po shqyrton rritjen e nivelit të specializimit ndërmjet anëtarëve. Admirali Giuseppe Dragone, kreu i Komitetit Ushtarak të NATO-s, ka propozuar një “qasje me shumë shpejtësi”, ku vendet me ushtri më të mëdha do të përqendrohen në detyra të rënda si pengimi ndaj Rusisë, ndërsa shtetet më të vogla do të fokusohen në funksione më të specializuara si logjistika dhe siguria kibernetike. Shembuj të tillë tashmë ekzistojnë: Luksemburgu, me vetëm 900 ushtarë, është një qendër e rëndësishme për komunikimet satelitore të NATO-s dhe ndihmon në programin e avionëve zbulues. Islanda, ndonëse pa forca të armatosura, operon sisteme të mbikëqyrjes ajrore.
Sipas The Economist, NATO duhet të gjejë kurajo edhe në fushën e angazhimit operativ. Edhe vendet që shpenzojnë më pak kontribuojnë në mënyrë konkrete. Spanja komandon një forcë shumëkombëshe në Sllovaki, Italia në Bullgari, ndërsa avionët portugezë patrullojnë qiejt baltikë. Madje edhe shtetet më të vogla si Kroacia, Shqipëria dhe Sllovenia kanë dislokuar trupa në krahun lindor të aleancës.
Pyetja më e madhe tani është nëse këto angazhime të kufizuara do të rriten ndjeshëm në rast krize. NATO dëshiron të jetë në gjendje të dislokojë 100,000 trupa brenda dhjetë ditësh dhe edhe 200,000 të tjerë brenda një muaji. Pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së, vendet evropiane do ta kenë të vështirë të arrijnë këto objektiva, përveç nëse investojnë më shumë në rekrutimin dhe mobilizimin e forcave të tyre. Si përfundim, siç e përmbledh The Economist, edhe pse një aleat i mirë duhet të tregojë aftësi dhe angazhim, “paratë mund të jenë ende mbreti”.