Pas 2 vjet e 7 muajsh nga sulmi terrorist në Banjskë, sot Gjykata ka marr vendim që t’i dënojë me burg të përjetshëm dy të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq , ndërsa Dushan Maksimoviq me 30 vite burg, ku vetëm njëri nga ta sot ishte prezent në gjykatore, shkruan Periskopi.
Nga sulmi në Banjskë të Zveçanit mbeti i vrarë rreshteri 50-vjeçar nga Vushtrria, Afrim Bunjaku, ndërkaq u plagos zyrtari policor Alban Rashiti dhe u lënduan Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu e Sedat Dushi.
Të tre këta që sot u dënuan janë pjesë e një grupi prej 45 individëve, ndaj të cilëve u ngrit aktakuzë rreth një vit pas sulmit në pjesën veriore të Kosovës, duke përfshirë këtu Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetar i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listës Serbe, i cili në aktakuzë cilësohet si “kreu i grupit terrorist”.
Tolliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq i kanë mohuar akuzat dhe kanë pretenduar se nuk e kishin qëllim vrasjen e askujt, e aq më pak bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë, ashtu siç thotë aktakuza.
Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon përkrahjen e Beogradit zyrtar.
Për Radoiçiqin dhe 41 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, prokurorët kishin kërkuar gjykim në mungesë, por Gjykata Themelore e hodhi poshtë kërkesën e tyre si të “pabazuar”.
Për çka akuzohen të dyshuarit?
Sipas Prokurorisë, të akuzuarit dyshohet se, përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë, kishin tentuar ta shkëpusnin pjesën veriore të Kosovës, për t’ia bashkuar Serbisë, me ç’rast ishte vrarë polici Bunjaku, ishte plagosur nga armë zjarri polici tjetër Alban Rashiti, ndërsa ishin lënduar policët Çlirim Sahiti, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi, por ishte rrezikuar edhe jeta e policëve të tjerë dhe e popullatës civile.
Për këto veprime, të njëjtit akuzohen për kryerjen e veprës penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.
I akuzuari si udhëheqës i të dyshuarve për sulmin në Banjskë, Radoiçiq, dyshohet se nga viti 2017 deri më 24 shtator 2023 ka siguruar të ardhura përmes një grupi të strukturuar, për t’i përdorur për armatim, logjistikë dhe financim të pjesëtarëve, me qëllim kryerjen e veprave terroriste. Për këto veprime të dyshuara, ai akuzohet për lehtësim dhe financim të terrorizmit.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, dyshohet se, me ndihmën e njërit nga të akuzuarit, Radulle Steviq, si dhe bizneseve të tij, Radoiçiq ka konvertuar të ardhura nga aktiviteti kriminal në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, duke i transferuar edhe te persona të tretë, për të fshehur origjinën e tyre. Për këtë pjesë, ai akuzohet për shpëlarje parash.
