Kur kundërshtari yt politik është një kufomë e pakallur, mjafton të marrësh frymë për t’u shpallur fitues. Dhe Rama merr pushtetin sërish, jo nga forca, por nga kundërshtari i tij i kalbur që e ushqen me frikë njerëzinë…
Zgjedhjet e 11 majit nuk ishin një triumf politik për mazhorancën, por një funeral për opozitën e komanduar nga Sali Berisha. Asnjë entuziazëm për Edi Ramën, veçse frikë nga rikthimi i të shkuarës. Dhe kjo nuk është fitorja e një qeverie: është mungesë alternative.
Fanfarat e Rilindjes nisën që pa gdhirë për të shpallur “fitore”. Por në realitet, nuk ka fitore kur shqiptarët votojnë nga frika, jo nga shpresa. Çfarë ndodhi në 11 maj ishte thjesht një mbijetesë e Ramës falë gogolit Sali Berisha.
Nëse Sali Berisha nuk do të ishte në fushë, edhe një figurë pa karizëm si Lulzim Basha do të kishte marrë më shumë. Shqiptarët nuk votuan për PS-në, ata votuan kundër kthimit të të shkuarës së frikshme që u rikthye me arrogancë e pa pendesë.
Opozita e paqenë dhe nevoja për një anti-Ramë të vërtetë
Sot kemi një panoramë pluraliste në dukje, ku disa figura të reja si Adriatik Lapaj, Arlind Qori, Agron Shehaj apo Shabani kanë marrë pak vota. Por askush prej tyre nuk është ende një “anti-Ramë”. Sepse të jesh anti-Ramë, nuk mjafton të jesh kundërshtar i Ramës: duhet të jesh e kundërta e tij në moral, mendim dhe formim.
Një lider opozite që s’mund të citojë as Hugo-n, as Servantesin, që nuk ka një bazë njohurish historike, letrare e politike, mund të jetë kandidat për Bashkinë e Vorës, por kurrësesi për Kryeministër.
Është e frikshme të shohësh aktorët e opozitës duke u mbajtur me imagjinata flokësh të mbjella e jo me ide të mbjella në mendjen e qytetarëve. Kur Zani Çaushi citon Spartak Ngjelën si “i vetmi politikan”, dhe Jaho Mulosmani dhuron libra nga burgu, opozita duhet të skuqet, jo për veprat, por për mjerimin e mendimit.
Kur Berisha akuzon Ramën, opozita hesht, sepse e njeh fajin si të vetin
Sali Berisha akuzon çdo ditë familjen e Edi Ramës për korrupsion. Por e vërteta është se nuk ka asnjë shqiptar opozitar që nuk di se edhe familja Berisha ka qenë po aq e zhytur. Kjo e bën çdo sulm të tij të pavlerë, sepse i ngjan një pasqyre që kthen mbrapsht të njëjtin imazh.
Sot, opozita ka shumë njerëz që nuk janë me Berishën, por janë kundër Ramës. Votuan si shenjë proteste, jo për dashuri ndaj PD-së. Dhe janë po ata që nesër mund të votojnë më fuqishëm, nëse u ofrohet një alternativë reale, serioze, e përgatitur.Opozita nuk ka nevojë për një Mesia apo një shpëtimtar me aureolë mitike. Ka nevojë për një politikan serioz, të ditur dhe me etikë, që përballet me Ramën jo me sharje, por me vizion. Dhe ky njeri, ende nuk ekziston. Derisa të vijë, Rama do të vazhdojë të fitojë duke falënderuar frikën që ngjall Berisha.
Nëse ka një mësim nga 11 maji, ai është ky:
Që të përzësh Ramën, duhet të përzësh Berishën. Jo nesër! Sot!
Sepse vendi ka nevojë për një opozitë që nuk është thjesht anti-Rama në formë, por anti-Rama në përmbajtje./Pamfleti