Vranë brutalisht një person në xhami, Macron: Urrejtja fetare s’ka vend në Francë

Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka dënuar ashpër sulmet raciste dhe urrejtjen pas një incidenti tragjik në jug të vendit, ku një musliman nga Mali u vra brutalisht me thikë në një xhami.

Macron theksoi se “racizmi dhe urrejtja e bazuar në fe nuk mund të kenë vend në Francë”, duke shtuar se liria e adhurimit duhet të mbrohet.

Sulmi ndodhi në fshatin La Grand-Combe në rajonin Gard, ku një i ri nga Mali, Aboubakar Cisse, u godit me thikë dhjetëra herë dhe u filmua nga sulmuesi ndërsa ky i fundit bërtiste duke ofenduar Islamin. Sulmuesi është ende në arrati, dhe autoritetet janë duke hetuar motivet e tij, ku islamofobia është një nga shkaqet që po shqyrtohen.

Në reagimin e tij, Macron ofroi mbështetje për bashkëqytetarët myslimanë të Francës, duke deklaruar se urrejtja dhe dhuna ndaj grupeve të ndryshme fetare nuk mund të tolerohen në shoqërinë franceze.

Kryeministri François Bayrou e quajti sulmin një “mizori islamofobike”, ndërsa Ministri i Brendshëm Bruno Retailleau ka urdhëruar forcimin e sigurisë në xhamitë e vendit për të parandaluar ngjarje të ngjashme.

Incidenti ka shkaktuar tronditje të thellë, dhe më shumë se 1,000 qytetarë marshuan në La Grand-Combe për të nderuar viktimën. Po ashtu, qindra njerëz morën pjesë në një tubim në Paris, ku Jean-Luc Mélenchon, lideri i së majtës ekstreme, kritikoi qeverinë për krijimin e një “klime islamofobie” në Francë, në një periudhë kur emigracioni është një temë e nxehtë politike. Retailleau e kundërshtoi këtë, duke akuzuar partinë e Mélenchon për shfrytëzimin politik të tragjedisë.

PUBLIKIMET E FUNDIT

TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here