Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur gatishmërinë të premten që të konsoltohet me liderët e partive politike të Kuvendit për të dalë nga bllokada.
Ajo i ka mirëpritur liderët kurdo që ata e shohin të nevojshme, ka thënë këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina.
“Presidentja Osmani, nëpërmjet letrës drejtuar kryesuesit të seancës z.Avni Dehari, më 16 prill, tashmë u ka ofruar përfaqësuesve të partive mundësinë për takime, duke shprehur gatishmërinë e plotë për konsultime kurdo që ata e shohin të nevojshme”, ka thënë ai.
Kuvendi dështoi të konstituohet edhe në përpjekjen e gjashtë të seancës konstituive për shkak se kandidatja e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, për të katërtën nuk mori votat e mjaftueshme.
Partia e parë, Vetëvendosje, po këmbëngul në kandidaturën e saj, ndërsa partitë opozitare po e refuzojnë Haxhiun si kandidate me arsyetimin se nuk është figurë konsensuale.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) më herët ka deklaruar se është koha që presidentja Vjosa Osmani të marrë iniciativë dhe të thërrasë një takim me liderët e partive politike parlamentare për të diskutuar ndonjë zgjidhje të mundshme meqë seancat kanë hyrë në “një cikël absurd seancash çdo 48 orë”.
“Kushtetuta e ngarkon atë [presidenten Osmani] me detyrën për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve, dhe në një situatë si kjo – ku institucioni më i lartë përfaqësues është i bllokuar – angazhimi i saj politik dhe institucional është i justifikuar por edhe i domosdoshëm”, ka thënë KDI.