Duke folur për agjencinë ruse të lajmeve Tass, sekretari i Këshillit të Sigurimit të Federatës Ruse Sergei Shoigu sulmoi ashpër Perëndimin: “Nëse na sulmojnë, ne do të përdorim bombën atomike”.
“Në nëntor 2024, u bënë ndryshime në Bazat e Politikës Shtetërore të Federatës Ruse në fushën e parandalimit bërthamor, sipas të cilave Rusia rezervon të drejtën për të përdorur armë bërthamore në rast agresioni kundër saj ose Republikës së Bjellorusisë, përfshirë përdorimin e armëve konvencionale,” tha ai.
Rusia, sipas Shoigu, “po monitoron nga afër përgatitjet ushtarake të vendeve evropiane”.
Shoigu, i cili shërbeu si ministër i Mbrojtjes i Rusisë për më shumë se një dekadë derisa u zhvendos në krye të këshillit të fuqishëm të sigurisë në një riorganizim të qeverisë vitin e kaluar, përmendi ndryshimet në doktrinën bërthamore të Moskës të miratuar nga presidenti Vladimir Putin nëntorin e kaluar.
Sipas kushteve të reja, Rusia mund të konsiderojë një sulm bërthamor në përgjigje të një sulmi konvencional kundër Rusisë ose aleatit të saj Bjellorusi që “paraqet një kërcënim kritik për sovranitetin dhe (ose) integritetin e tyre territorial”.
“[…] në rast se shtetet e huaja ndërmarrin veprime armiqësore që përbëjnë kërcënim për sovranitetin dhe integritetin territorial të Federatës Ruse, vendi ynë e konsideron legjitime përdorimin e masave simetrike dhe asimetrike të nevojshme për të shtypur veprimet e reja dhe për të parandaluar përsëritjen e tyre”, tha Shoigu.